Kosova
KUNDER SPECIALES, VOTE UNANIME NE KOSOVE
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji mori mbështetjen e 91 deputetëve që morën pjesë në votim, pas shqyrtimit dhe debatit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Miratimi në parim i hap rrugë vijimit të procedurave parlamentare për shqyrtimin e mëtejshëm të projektligjit. Para se të kalonte në seancë plenare, nisma ishte miratuar edhe nga Komisioni për Legjislacion.
Ndërkohë, jashtë ndërtesës së Kuvendit vijon protesta e veteranëve të UÇK-së dhe mbështetësve të nismës, të cilët kërkojnë ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Protesta është shoqëruar me tensione gjatë zhvillimit të seancës, ndërsa janë raportuar edhe hedhje të mjeteve piroteknike në afërsi të ndërtesës së Kuvendit.
Miratimi i projektligjit vjen në një ditë të rëndësishme politike për Kosovën, ndërsa Kuvendi pritet të vijojë me procedurat për shqyrtimin e ndryshimeve ligjore.
Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se, sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, tha Kurti.
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Ka qenë një kohë e shkurtër për të analizuar ligjin, sidomos kur nuk e kemi aktgjykimin e prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015. Atëherë nuk na keni dëgjuar, por sot do të duhej të na konsultoni. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan e jo ndaj atyre që e kundërshtuan.
Duhet ligj për Gjykatën në Hagë por edhe president për Kosovën. S’mund të bëhet njëra pa tjetrën. Na duhet një strategji serioze, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional, rrezikon të përfundojë në dështim”, tha ai