✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Shpërthejnë protestat në Kosovë/ Debati Kurti-Hamza: Voto Presidentin, të votoj Specialen

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, janë takuar këtë të hënë në ambientet e Kuvendit, ndërsa jashtë institucionit vijonte protesta lidhur me ndryshimet e propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas burimeve të cituara nga deputetë dhe persona pranë dy liderëve, gjatë takimit Kurti i ka kërkuar Hamzës mbështetjen e PDK-së për votat e nevojshme në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në anën tjetër, Hamza ka kërkuar mbështetjen e Kurtit për ndryshimet në ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja është miratuar në parim me 91 vota pro dhe asnjë kundër. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, duke shprehur shqetësime për pasoja të mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare.

Pas votimit, LDK reagoi publikisht ndaj mënyrës së pasqyrimit të qëndrimit të deputetëve të saj, duke kundërshtuar vendosjen e emrave të tyre në një rresht me deputetët e Listës Serbe. Në reagimin e saj, LDK e cilësoi këtë si “përpjekje të ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”, duke theksuar se qëndrimi i saj lidhet me atë që e konsideron përgjegjësi institucionale ndaj Kosovës.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit janë raportuar përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës. Protestuesit, të mbledhur që prej pasdites, u kanë bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë për ndryshimet e propozuara.

Zhvillimet politike vijnë në një periudhë të ngërçit institucional në Kosovë, ndërsa mbeten në fokus zgjedhja e Presidentit dhe qëndrimet e partive parlamentare për ndryshimet në legjislacionin që lidhet me Dhomat e Specializuara.

Advertisement