✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Dështon gjyqi i Veliajt, GJKKO gjobit 11 avokatë me nga 50 mijë lekë

Bo­jkoti i avokatëve ndaj proceseve gjyqësore vijon, ndërsa për herë të parë përfshihen edhe seancat për caktimin e masave të sigurisë. Në Gjykatën e Posaçme, një tjetër proces që nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës është ai ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në këtë proces, të gjithë avokatët e 11 të pandehurve që po bojkotojnë gjykimet janë gjobitur me nga 50 mijë lekë secili. Masa është më e lartë se gjoba e vendosur në seancën e mëparshme për të njëjtën arsye, kur avokatët u gjobitën me nga 10 mijë lekë.

Situata në GJKKO po shoqërohet me qëndrime të ndryshme të trupave gjyqësore. Ndërsa disa gjyqtarë nuk kanë vendosur gjoba ndaj avokatëve që mungojnë në kuadër të bojkotit, të tjerë kanë vijuar me masat financiare, duke e përshkallëzuar nivelin e gjobave.

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë verifikimin e veprimeve të gjykatës, duke ngritur shqetësimin për atë që e konsideron ndërhyrje në ushtrimin e profesionit të avokatit dhe në raport me median.

“Ne nuk tërhiqemi sepse kjo është në parimin bazë të funksionimit të gazetarisë. Po u shkel kjo, atëherë ta mbyllim avokatinë, të ikim fare”, është shprehur Haxhia, duke kundërshtuar masat dhe rregullat që sipas tij prekin punën e avokatëve dhe gazetarëve.

Ndërkohë, gazetarët vijojnë të marrin pjesë në seancat gjyqësore si publik, por në hyrje u kërkohet të plotësojnë dhe firmosin një formular që përmban edhe të dhëna personale. Kjo praktikë është kundërshtuar nga Dhoma e Avokatisë, e cila ka kërkuar verifikim të procedurave të ndjekura nga gjykata.

Një tjetër situatë që pritet të vërë në provë mënyrën se si do të veprohet gjatë bojkotit lidhet me seancat për masat e sigurisë. Në orët në vijim pritet të dalë para gjykatës Greta Pepa, e arrestuar në kuadër të një hetimi për aktivitetet e call center-ave. Sipas informacionit të bërë publik, ajo ka një foshnjë katër muajshe dhe është shoqëruar nga policia bashkë me fëmijën.

Seanca pritet të jetë një nga rastet e para ku gjykata duhet të përballet me mungesën e avokatit mbrojtës në një procedurë për masën e sigurisë, në kushtet kur bojkoti vijon.

Advertisement