✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

“Dje’gie, dhu’në, hakmarrje”/ Çfarë po ndodh në rrjet pas protestave në Kosovë

Thirrjet për dhunë dhe për sulme ndaj institucioneve, protestuesve e policisë janë shtuar në hapësirat online pas protestave të 5 tetorit në Prishtinë, të cilat u përshkallëzuan në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka monitoruar hapësira komentesh kryesisht në postimet e mediave në rrjetet sociale, ku janë konstatuar mesazhe që bëjnë thirrje për djegien e ndërtesës së Kuvendit, rrahjen e protestuesve dhe sulme ndaj policëve. Komentet janë publikuar nga profile reale, anonime apo të dyshimta, ndërsa disa prej mesazheve janë shpërndarë edhe nga faqe në Facebook, pronësia dhe qëllimi i të cilave nuk janë të qarta.

Ekspertët e sigurisë dhe të verifikimit të informacionit paralajmërojnë se një gjuhë e tillë mund të thellojë polarizimin shoqëror dhe ta zhvendosë pakënaqësinë politike drejt nxitjes së dhunës.

Bardh Dema, udhëheqës i verifikimit të fakteve në Hibrid.info, thotë se gjatë monitorimit të zhvillimeve janë evidentuar përmbajtje që mund të interpretohen si nxitje për përleshje fizike apo reagime agresive. Sipas tij, kritika ndaj institucioneve, policisë, protestuesve apo aktorëve politikë është pjesë e debatit publik, por kufiri tejkalohet kur mesazhet kalojnë në kërcënime, dehumanizim apo nxitje për dhunë.

“Problemi fillon kur mesazhi kalon nga kritika te dehumanizimi, kërcënimi ose nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë”, tha Dema për REL-in.

Protestat disa-javëshe në Kosovë, të lidhura me kundërshtimin e aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, u përshkallëzuan më 5 tetor. Përplasjet nisën në një kohë kur protestuesit kërkonin që projektligji i miratuar atë ditë në lexim të parë të kalonte menjëherë edhe në lexim të dytë.

Protestuesit bllokuan hyrjen e Kuvendit, ndërsa pati edhe sulm ndaj një deputeti dhe disa zyrtarëve publikë, si dhe hedhje shishesh e mjetesh piroteknike në drejtim të ndërtesës. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë protestës morën trajtim mjekësor të paktën 20 policë, 12 protestues dhe një gazetar. Për mënyrën e ndërhyrjes së policisë pati kritika nga PDK-ja dhe figura të tjera publike, të cilat e cilësuan reagimin si joproporcional. Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur një hetim paraprak lidhur me këto pretendime.

Instituti Demokratik i Kosovës ka theksuar se protesta është një mjet legjitim demokratik, por ka kundërshtuar kërcënimet, dhunën dhe pengimin fizik të deputetëve në ushtrimin e mandatit të tyre. Instituti u ka bërë thirrje organizatorëve dhe drejtuesve politikë që të marrin përgjegjësi dhe protestat të vijojnë pa dhunë.

Në të njëjtën kohë, ekspertët vërejnë një polarizim në rritje në diskursin publik, ku debati po reduktohet në ndarjen mes atyre që janë “me UÇK-në” dhe atyre që paraqiten si “me Serbinë”.

Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, e lidh këtë situatë me atë që e përshkruan si “polarizim afektiv”, ku kundërshtari politik shihet si kërcënim dhe thirrjet për kompromis mund të perceptohen si tradhti.

Sipas Ilazit, përveç aktgjykimit të Gjykatës Speciale, pakënaqësia lidhet edhe me krizat e zgjatura politike, zgjedhjet e përsëritura dhe pasigurinë institucionale.

Ndërkohë, Hibrid.info ka evidentuar raste të dezinformimit që lidhen me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas një hulumtimi të kësaj platforme, gjatë gjysmës së dytë të shtatorit janë verifikuar 20 raste që përfshijnë lajme të rreme, deklarata të fabrikuara dhe përmbajtje të manipuluara me inteligjencë artificiale.

Një tjetër hulumtim, i kryer nga eksperti i sigurisë kibernetike Halil Berisha, ka identifikuar një grup llogarish të dyshimta në Facebook që, sipas tij, kanë shpërndarë në mënyrë të përsëritur dhe të koordinuar mesazhe nxitëse para dhe pas aktgjykimit të 16 shtatorit. Sipas Berishës, disa prej këtyre llogarive përdornin emra shqiptarë, por ishin të regjistruara si faqe “Musician/Band” dhe publikonin komente të njëjta ose të ngjashme në postime të mediave dhe subjekteve politike.

Berisha thotë se mesazhet përfshinin thirrje për djegie institucionesh, përplasje dhe ndëshkim të kundërshtarëve, ndërsa disa prej profileve janë mbyllur ose kanë ndryshuar identitet pas publikimit të hulumtimit.

Ai e ka krahasuar këtë mënyrë funksionimi me taktika të përdorura në operacione të njohura të ndikimit rus. Megjithatë, kjo lidhje nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

Edhe Dema pranon se janë evidentuar narrativa dhe sjellje të ngjashme në disa llogari, por thekson se në këtë fazë nuk do të ishte e saktë që të gjitha këto përmbajtje të konsideroheshin pjesë e një fushate të koordinuar.

“Ajo që mund të themi është se shohim sjellje të ngjashme dhe narrativa që përsëriten, ndërsa një pjesë e tyre më pas amplifikohen nga përdorues të tjerë”, tha ai.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për përdorimin e materialeve të vjetra, të manipuluara ose jashtë kontekstit, të cilat mund të krijojnë perceptime të rreme për veprimet e njërës apo tjetrës palë.

Në këtë klimë, thirrjet për dhunë mbeten një nga shqetësimet kryesore. Sipas ekspertëve, zemërimi dhe protesta janë pjesë e debatit demokratik, por dhuna dhe nxitja e saj nuk mund të justifikohen.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse institucionet e drejtësisë po ndërmarrin hapa konkretë ndaj të gjitha thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacion nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me monitorimin e këtyre përmbajtjeve dhe procedurat e mundshme, por deri në momentin e publikimit nuk kishte marrë përgjigje.

Advertisement