✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Hoxha pas planit të ri të BE-së: Shqipëria kërkon rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mirëpritur komunikimin e Komisioneres Marta Kos mbi përgatitjet e Bashkimit Evropian për zgjerimin me vende të reja anëtare.

Në një reagim në platformën X, Hoxha deklaroi se Shqipëria është e gatshme të vijojë procesin e reformave dhe të bashkëpunojë me vendet anëtare dhe Komisionin Evropian për ndërtimin e një udhërrëfyesi drejt anëtarësimit.

“Shqipëria është gati. Jo vetëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por edhe për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së tij”, u shpreh ministri.

Hoxha theksoi se procesi i zgjerimit nuk varet vetëm nga përgatitja e vendeve kandidate, por edhe nga gatishmëria e vetë Bashkimit Evropian për të pranuar anëtarë të rinj.

“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me gatishmërinë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar. Ai ka të bëjë po aq edhe me gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’i mirëpritur ato”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, për Shqipërinë zgjerimi mbetet një projekt strategjik, që lidhet me forcimin e demokracisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, por edhe me sigurinë, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës.

Në këtë kuadër, Hoxha rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për vijimin e reformave dhe mbështetjen për një proces integrimi gradual, përmes hapave konkretë.

Ministri e cilësoi zgjerimin si pjesë të rëndësishme të së ardhmes së kontinentit, duke argumentuar se një proces i tillë do të kontribuonte në një Evropë më të bashkuar dhe më të fortë.

“Për një Evropë më të fortë në shtëpi. Një Evropë më të fortë në botë”, përfundoi reagimin e tij Ferit Hoxha.

Advertisement