Kosova
Kosova drejt zgjedhjeve? Haradinaj: Përgjegjës është Albin Kurti
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, pasi sipas tij nuk është arritur një marrëveshje për ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.
Në një konferencë për mediat, Haradinaj e cilësoi si të papranueshme që procesi i miratimit të ligjit për Gjykatën Speciale të mbetet i papërfunduar, veçanërisht në një moment që ai e konsideron të rëndësishëm për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Haradinajt, përgjegjësia për situatën politike bie mbi Kurtin, të cilin e akuzoi se nuk po arrin të gjejë një zgjidhje për çështjet që kanë mbetur pezull.
Haradinaj shkoi më tej me akuzat e tij, duke pretenduar se Kurti po vepron në dëm të shtetit të Kosovës. Ai tha se kryeministri nuk mund ta dëmtojë vendin në këtë mënyrë, duke e cilësuar Kurtin edhe si “keqbërës patologjik”.
“Kjo është herë e katërt që po e çon vendin në zgjedhje i njëjti person, i njëjti vendimmarrës. Kurti e kurthoi edhe ligjin edhe vendin… i dha një goditje të rëndë ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Haradinaj.
Deklaratat e Haradinajt vijnë në një situatë të tensionuar politike në Kosovë, ku zgjedhja e presidentit dhe miratimi i ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara janë pjesë e çështjeve që kanë mbetur në qendër të debatit politik.