Bota
Meloni “regjistron” zërin e saj/ Italia ashpërson betejën kundër Inteligjencës Artificiale
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ndërmarrë një masë të veçantë për të mbrojtur identitetin e saj nga keqpërdorimi i Inteligjencës Artificiale. Meloni ka depozituar timbrin e saj vokal pranë Zyrës së Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale, EUIPO.
Hapi vjen pas disa rasteve kur imazhi dhe zëri i kryeministres italiane janë përdorur në materiale të manipuluara me teknologjinë e Inteligjencës Artificiale.
“Deepfake-et janë një mjet i rrezikshëm, sepse mund të mashtrojnë, manipulojnë dhe godasin këdo. Unë mund të mbrohem. Shumë të tjerë jo”, kishte deklaruar Meloni në maj, pasi një fotografi e manipuluar e saj ishte shpërndarë në rrjetet sociale.
Regjistrimi i një marke zanore pranë EUIPO synon t’i japë mbajtësit të saj të drejtën ekskluzive të përdorimit të zërit të regjistruar në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në rastin e Melonit, masa synon të kufizojë përdorimin mashtrues të zërit të saj, përfshirë rastet kur ai imitohet ose gjenerohet përmes Inteligjencës Artificiale.
Sipas Palazzo Chigi, objektivi është mbrojtja nga përdorimi i rremë i zërit për qëllime ekonomike, politike apo diplomatike.
Meloni ka qenë më herët objekt i disa manipulimeve dixhitale. Në një rast, fytyra e saj u përdor në një video pornografike, ndërsa në një tjetër material të manipuluar me AI, ajo u paraqit si figurë e Romës së lashtë, në një skenar ku përfshiheshin edhe liderë të opozitës.
Paralelisht me këto raste, Italia ka forcuar kuadrin ligjor për përdorimin abuziv të Inteligjencës Artificiale. Ligji kuadër i miratuar në vitin 2025 parashikon përgjegjësi penale për shpërndarjen mashtruese të përmbajtjeve deepfake dhe për përdorimin e AI-së në mënyra që cenojnë sigurinë apo integritetin e personave.
Për manipulimin e përmbajtjeve me Inteligjencë Artificiale, kur shtrembërohet realiteti dhe cenohet besimi i qytetarëve, parashikohen dënime nga një deri në pesë vjet burg.
Ndërkohë, në Parlamentin italian vijon shqyrtimi i një tjetër projektligji që synon zgjerimin e mbrojtjes së identitetit personal përballë teknologjive të Inteligjencës Artificiale, me vëmendje të veçantë ndaj deepfake-ve.
Rasti i Melonit e vendos në qendër të debatit një problem në rritje: mundësinë që Inteligjenca Artificiale të përdoret për të imituar zërin dhe identitetin e personave, duke krijuar përmbajtje që mund të duken autentike, por që në të vërtetë janë të manipuluara.