Aktualitet
BE-ja ndryshon rregullat për shqiptarët/ Ja çfarë ndodh me pensionet dhe sigurimet shëndetësore
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk do të ndryshojë vetëm mënyrën se si shqiptarët udhëtojnë apo punojnë në Evropë. Ai do të sjellë edhe integrimin e Shqipërisë në sistemin evropian të koordinimit të sigurimeve shoqërore.
Komisioni Evropian evidenton në analizën e tij se vendet e reja anëtare duhet të kenë sistemet e tyre të përgatitura për koordinimin e plotë të të drejtave sociale me pjesën tjetër të BE-së.
Një nga ndryshimet më të prekshme për qytetarët lidhet me Kartën Evropiane të Sigurimit Shëndetësor, EHIC.
Për një Shqipëri anëtare, sistemi kombëtar do të duhej të ishte në gjendje të administronte edhe rimbursimin e këtyre përfitimeve.
Komisioni përmend specifikisht pensionet dhe përfitimet e papunësisë si fusha ku sistemet e vendeve të reja duhet të jenë të përgatitura për koordinim evropian.
Shqipëria do të duhet gjithashtu të jetë gati për pjesëmarrje në EESSI, sistemin elektronik përmes të cilit institucionet e sigurimeve shoqërore shkëmbejnë informacion ndërmjet tyre, si dhe për European Social Security Pass të propozuar nga BE-ja.
Rëndësia praktike është veçanërisht e madhe për qytetarët që gjatë jetës së tyre profesionale kanë punuar ose do të punojnë në më shumë se një shtet.
Megjithatë, koordinimi nuk do të thotë krijimin e një sistemi të vetëm evropian pensionesh apo shëndetësie. Sistemet kombëtare mbeten të veçanta; ajo që ndryshon është mënyra se si të drejtat e fituara në vende të ndryshme njihen dhe koordinohen.
Në të njëjtën kohë, Komisioni paralajmëron se zgjerimi mund të shtojë edhe rrezikun e largimit të fuqisë punëtore nga vendet e reja, ndaj kërkon kapacitete dhe mbështetje më të mëdha për tregun e punës, arsimin profesional dhe politikat sociale.