✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Shkirja e Bashkive/ Mazniku fton opozitës: Nëse bashkohemi, bëhemi më të fortë

Arbjan Mazniku, një nga hartuesit e Reformës Territoriale dhe bashkëkryetar i Komisionit të ngritur për këtë nismë, ka folur në Kuvend gjatë diskutimeve për ndryshimet në organizimin territorial të vendit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe kritikave të deputetëve, Mazniku mbrojti reformën e vitit 2014 dhe argumentoi se ndryshimet e reja synojnë përmirësimin e mënyrës se si ofrohen shërbimet për qytetarët.

“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t’u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t’u pastrohet dhe t’u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik”, deklaroi Mazniku.

Ai u shpreh se reforma territoriale e vitit 2014 duhet konsideruar një sukses, duke iu referuar, sipas tij, diskutimeve të zhvilluara gjatë dëgjesave publike.

“A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat. Ajo situatë, as propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë”, tha ai.

Sipas Maznikut, pas reformës së vitit 2014 bashkitë kanë rritur të ardhurat, kanë ulur borxhet dhe kanë forcuar kapacitetet investuese. Megjithatë, ai argumentoi se këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për objektivat që, sipas tij, ka Partia Socialiste për ofrimin e shërbimeve publike në territor.

“Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit. Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”, u shpreh Mazniku.

Në vijim, ai foli edhe për punën e Komisionit të Reformës Territoriale, duke kritikuar vonesat në nisjen e mbledhjeve dhe procesin e konsultimeve. Sipas tij, komisioni nuk zhvilloi mbledhjen e parë për 112 ditë, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e kohës së mandatit të humbiste.

Mazniku tha se më pas komisioni zhvilloi konsultime në 23 qarqe dhe thirri kryetarët e bashkive, ndërsa u ngrit edhe një grup i përbashkët ekspertësh për të përgatitur elementet teknike.

Sipas tij, më 15 korrik nuk pati dakordësi për prezantimin e gjetjeve të grupit të ekspertëve, duke e vendosur procesin përballë dy alternativave: ngecjes së reformës ose vijimit të punës për çështje që lidhen me kompetencat, financat dhe problematikat e evidentuara gjatë dëgjesave.

“Më 15 korrik nuk u ra dakord që të prezantoheshin gjetjet. Në këtë moment u gjendëm në një situatë ku rrugët ndaheshin: ose reforma ngecte, ose puna, dëgjesat dhe hallet që njerëzit kanë çdo ditë. Të fillojmë punën së bashku për kompetencat, financat dhe analizimin”, deklaroi Mazniku.

Advertisement