Politike
Klosi përplaset me Berishën: Komunisti i vetëm në këtë sallë…
Përplasje të forta janë shënuar në Kuvend gjatë debatit për Reformën Territoriale, mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetit socialist Blendi Klosi.
Berisha ka akuzuar mazhorancën për dhunë ndaj protestuesve që ndodheshin jashtë Parlamentit, ndërsa gjatë fjalës së tij ka bërë edhe akuza të tjera ndaj qeverisë dhe zyrtarëve socialistë.
“Në Parlament, një dhunë dhe terror i paparë ka shpërthyer ndaj qytetarëve që sot protestojnë në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. Një dhunë e paparë ka shpërthyer ndaj të rinjve, burrave dhe grave të mbledhur nga e gjithë Shqipëria. Kërkoj stop dhunës ndaj protestuesve, kërkoj që të pranohen dhe të dëgjohen në Parlament. Janë përfaqësues nga të gjitha partitë”, deklaroi Berisha.
Në vijim, ai ngriti akuza ndaj disa zyrtarëve të mazhorancës, duke iu referuar edhe çështjeve që, sipas tij, lidhen me hetime dhe interesa kriminale.
Berisha e mbylli fjalën e tij me një paralajmërim politik ndaj mazhorancës.
“Ju garantoj që fatin e Edi Ramës do të kesh, të ka marrë si letër të fundit… Këtij Demos ia kam fjalën dhe mendon se dhuna do t’i ndalë. Çfarëdo që të bëni, nuk do të shpëtoni, jeni të marrë fund”, tha ai.
Pas Berishës reagoi deputeti socialist Blendi Klosi, i cili mbrojti reformën territoriale dhe sfidoi opozitën lidhur me rezultatin që, sipas tij, do të prodhojë ndryshimi i hartës territoriale.
“Jemi më të fortë se kurrë. Jemi të gatshëm t’ju sfidojmë që, nga të gjitha bashkitë që do të dalin sot, ju të merrni më pak se gishtat e dorës bashki, të cilat mund t’i merrni vetëm nëse ne bëjmë ndonjë gabim. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që dalin sot nga votimi, ne do t’i fitojmë”, deklaroi Klosi.
Ai akuzoi gjithashtu opozitën se nuk po përballet me mazhorancën përmes argumenteve në diskutimin për reformën, ndërsa përsëriti qëndrimin e socialistëve se bashkimi i njësive vendore do t’i forcojë ato.
“Ne jemi këtu për t’u përballur me argumente. Ne mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta”, u shpreh Klosi.
Në replikën e tij, Berisha iu përgjigj Klosit me tone të ashpra, duke kundërshtuar argumentet e deputetit socialist.
“Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton përgjigje. Ai është skllav i vesit. Shumëzojeni me zero diskutimin që bëri”, tha Berisha.
Debati mes dy deputetëve u zhvillua në një seancë të tensionuar, ndërsa jashtë Kuvendit vijonte protesta kundër Reformës Territoriale.