✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Mazniku: Ka disa funksione të cilat sot bashkitë nuk i kanë…/ Braçe vë duart në kokë

Pas kritikave të deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndaj Reformës Territoriale, ka reaguar në Kuvend bashkëkryetari i komisionit për reformën, Arbjan Mazniku.

Mazniku tha se e vlerëson debatin e zhvilluar më herët me Braçen për këtë çështje, por kundërshtoi disa prej argumenteve të deputetit socialist lidhur me funksionet dhe kompetencat e bashkive.

Sipas Maznikut, për disa funksione pushteti vendor nuk përballet me pengesa ligjore apo buxhetore, por, sipas tij, disa bashki nuk i ushtrojnë ato në praktikë.

“Ka disa funksione të cilat sot bashkitë nuk i kanë dhe nuk i ushtrojnë, se nuk i kanë, ose se nuk kanë mundësitë për t’i ushtruar. Por ka plot funksione të cilat, për të qenë plotësisht të vërtetë, bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji, as nga qeveria për t’i ushtruar”, deklaroi Mazniku.

Ai përmendi si shembuj zhvillimin e turizmit, strehimin social, kujdesin social, mbështetjen për arsimin profesional dhe transportin publik.

Mazniku u ndal veçanërisht te bashkitë Lushnjë dhe Divjakë, duke argumentuar se ndërsa Lushnja i ushtron disa prej këtyre funksioneve, Divjaka nuk i zbaton në të njëjtën mënyrë.

“Zhvillimi i turizmit. Lushnja shpenzon? Po. Nuk shpenzon bashkia për këtë punë. Strehimi social është një politikë që duhet ta bëjë bashkia, nuk e bën. […] Bashkitë e kanë strehimin kompetencë të tyre prej 2000 vjetësh. Dhe kur bashkitë e shohin të arsyeshme dhe të mundshme të merren me strehimin, e kanë detyrë primare të merren. Dhe Lushnja merret, Divjaka nuk merret”, tha ai.

Duke vijuar argumentin, Mazniku tha se edhe kujdesi social për të sëmurët, mbështetja e arsimit profesional dhe transporti publik janë funksione që, sipas tij, mund të ushtrohen nga bashkitë pa pengesa të drejtpërdrejta ligjore apo buxhetore.

Përmendja e Divjakës shkaktoi edhe një moment reagimi nga Braçe, i cili nga vendi u pa duke kundërshtuar dhe vendosur duart në kokë.

Në përfundim, Mazniku tha se qëllimi i reformës duhet të jetë krijimi i bashkive që hartojnë dhe zbatojnë projekte e programe të afta për të përfituar financime nga Bashkimi Europian.

“Na duhen bashkitë që ndërtojnë këto projekte, që ndërtojnë këto programe, në mënyrë që të shkojmë te Bashkimi Evropian dhe të marrim financimet”, përfundoi Mazniku.

Advertisement