Politike
Shehaj ngre dyshimet: Përplasja Braçe Rama është lojë, vota për reformën do ta zbulojë
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka komentuar përplasjen publike të deputetit socialist Erion Braçe me mazhorancën lidhur me Reformën Territoriale. Shehaj e ka cilësuar qëndrimin e Braçes si një përplasje të inskenuar dhe tha se, sipas tij, kjo do të kuptohet nga mënyra se si do të votohet reforma në Kuvend.
Shehaj argumentoi se mazhorancës i nevojiten 84 vota për miratimin e reformës, ndërsa aktualisht, sipas tij, disponon 85 deputetë. Ai tha se qëndrimi i Braçes do të testohet në momentin e votimit.
“Tani e vërteta është që do ta zbulojmë shumë shpejt. Që kjo është e gjitha një lojë. Ramës i duhen 84 vota për të kaluar reformën territoriale. Ndërkohë ka 85. Por ka një mundësi që Braçe mos ta votojë reformën territoriale dhe kjo varet nga pjesëmarrja apo jo e Belinda Ballukut në Parlament”, deklaroi Shehaj.
Sipas kreut të Mundësisë, nëse ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk do të jetë e pranishme në seancë, vota e Braçes mund të bëhet e rëndësishme për sigurimin e shumicës së nevojshme.
“Belinda Balluku nuk vjen prej kohësh në Parlament që kur SPAK-u kërkoi arrestimin e saj. Tani në rastin konkret mazhoranca ka nevojë për votën e Belinda Ballukut, se pa votën e Ballukut, Braçe do të detyrohej të votonte dhe të zbulonte të gjithë lojën e ngritur nga Edi Rama”, tha ai.
Shehaj e cilësoi përplasjen mes Braçes dhe kryeministrit Edi Rama si pjesë të një “teatri” politik. Ai kritikoi gjithashtu mbështetjen që, sipas tij, deputeti socialist ka marrë nga opozita gjatë debatit për Reformën Territoriale.
“Tallja që u bëhet qytetarëve është e pabesueshme. Tani Erion Braçe ka bllokuar foltoren dhe kërcënon Edi Ramën se do të votojë gjoja kundër reformës territoriale. Por ajo që është më e pabesueshme akoma është që tani Braçen e mbështet edhe opozita në këtë teatrin e tij, në lojën që po bën kundër Edi Ramës gjoja”, u shpreh Shehaj.
Në përfundim, kreu i Mundësisë tha se prania ose mungesa e Ballukut në Kuvend dhe vota e Braçes do të shërbejnë, sipas tij, si tregues nëse përplasja e deklaruar publikisht është reale apo pjesë e një skenari politik.
“Sot do ta zbulojmë. Loja do të vazhdojë apo do të dalin zbuluar sepse Belinda Balluku do të vijë në Parlament. Apo Belinda Balluku do të vijë në Parlament që të mundësojë lojën e Edi Ramës. Tani do ta shikojmë”, përfundoi Shehaj.