✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Korreshi: Harta e re po fut në sherr Lushnjen me Divajkën, ju ka zënë ferra sytë

Debati për hartën e re territoriale është shoqëruar me kundërshtime edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili gjatë fjalës në Kuvend kritikoi propozimin për bashkimin e Divjakës me Lushnjën.

Korreshi deklaroi se, sipas tij, ndryshimi nuk gëzon mbështetjen e banorëve dhe se propozimi ka krijuar përplasje mes komuniteteve. Ai e lidhi gjithashtu debatin për reformën territoriale me rezultatin zgjedhor të socialistit Ceno Klosi në Divjakë.

“Ju keni futur edhe sharjen e urrejtjen mes lushnjarëve e Divjakës. Askush nuk e do këtë bashkim, përveç kryetares që i vente deti në derën e bashkisë”, tha Korreshi.

Deputeti demokrat kundërshtoi edhe argumentin se riorganizimi territorial do të përmirësojë shërbimet për qytetarët. Ai ngriti kritika për menaxhimin e mbetjeve, territorit dhe infrastrukturës në zonë.

“Pretendoni shërbime publike? Po ju s’keni hale. Sot e gjithë bashkia është patronazhim nga i pari te i fundit. Në 2014 i thatë do ulim shpenzimet. Kazanët e plehrave një herë në javë pastrohen në Lushnjë. Ndizen zjarre në mes të qytetit”, u shpreh ai.

Në vijim, Korreshi u ndal edhe te gjendja e zonave bujqësore dhe rezervuarëve në Myzeqe, duke kritikuar mirëmbajtjen e infrastrukturës ujore.

“Juve ju ka zënë ferra sytë, kallami është bërë si hu nëpër parcela. Asnjë nga rezervuarët e Myzeqesë nuk i punojnë portat hyrëse e dalëse. Iu ngeci peshku”, deklaroi deputeti i PD-së.

Kundërshtimet e Korreshit vijnë në kuadër të debatit në Kuvend për rishikimin e hartës së ndarjes territoriale dhe propozimet për ndryshimin e kufijve mes njësive vendore.

Advertisement