✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Qira me të drejtë blerje dhe kredi me 0% interes, skema e re e strehimit; kategoritë që përfitojnë

Qeveria propozon ndryshime në ligjin për strehimin social, duke sjellë skema të reja për familjet që nuk përballojnë çmimet e tregut. Programi parashikon banesa me qira me të drejtë blerjeje, ku një pjesë e pagesave mujore do të zbritet nga çmimi i blerjes së apartamentit, si dhe kredi me interes zero për familjet që plotësojnë kriteret.

Një tjetër instrument është garancia shtetërore për një pjesë të kredisë, për ata që kanë mundësi ta shlyejnë atë, por nuk disponojnë kolateralin ose pagesën fillestare.

Nga skemat e reja mund të përfitojnë familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, çiftet dhe familjet e reja, të rinjtë në fillim të karrierës, familjet me një prind dhe fëmijë të mitur, punonjësit e shërbimeve publike, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, si dhe qytetarët e rikthyer nga emigracioni, nëse plotësojnë kriteret.

Projektligji parashikon gjithashtu subvencionimin e qirasë dhe aktivizimin e banesave private të pabanuara për strehim social, përmes marrëveshjeve me pronarët.

Sipas skemës së bërë publike më herët nga kryeministri Edi Rama, për çiftet e reja dhe emigrantët e rikthyer parashikohet subvencionim deri në 50 për qind të qirasë, për banesa me qira deri në 400 euro. Në vitin e parë synohet të përfitojnë 3 mijë individë, me mbështetje deri në 200 euro në muaj.

Ndryshimet synojnë të lehtësojnë aksesin në strehim, në një kohë kur çmimet e qirave, veçanërisht në Tiranë, mbeten të larta. Megjithatë, kriteret përfundimtare të përfitimit dhe zbatimi i programeve do të përcaktohen përmes akteve përkatëse ligjore dhe nënligjore.

Advertisement