Politike
Rama premton testimin e administratës nga lart-poshtë: Të rriten në karrierë sipas meritës
Kryeministri Edi Rama ka pranuar se një nga problemet kryesore të administratës publike mbetet mungesa e lidhjes mes performancës në punë, vlerësimit profesional dhe avancimit në karrierë. Gjatë prezantimit të reformës “Shkalla e Meritës”, ai tha se shumica dërrmuese e nëpunësve civilë mendojnë se angazhimi apo mungesa e tij nuk ndikon në vlerësimin dhe rritjen e tyre profesionale.
“Ajo që mbetet shumë serioze, më shumë se në të tjerat, është se shumica dërrmuese e nëpunësve, e njerëzve të administratës, thonë se nëse punon apo nuk punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa kohë që vlerësohesh dhe rritesh në karrierë. Dhe më keq akoma, ajo që e bën edhe më negativ këtë vlerësim, është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë pranoi gjithashtu se kishte pasur skepticizëm për mundësitë e përmirësimit real të cilësisë së administratës, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve të Shqipërisë për procesin e integrimit europian.
“Unë vetë kam qenë skeptik për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës dhe, në një farë mënyre, i shqetësuar për faktin që pasi ne të realizonim me sukses daljen nga tuneli ku qëndruam për disa vite, tuneli i poshtërimit, e kam pagëzuar unë, për të hapur negociatat”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, meritokracia dhe mënyra e përzgjedhjes së punonjësve të shtetit kanë qenë ndër shqetësimet e ngritura nga qytetarët. Ai tha se protestat kanë shërbyer edhe si një mundësi për të shprehur pakënaqësitë e akumuluara dhe për të kërkuar përshpejtimin e reformave.
“Një nga pikat më goditëse të shumë zyrave që unë, bashkë me të tjerët, u përpoqa të dëgjoja, ishte pikërisht merita. Sa hyjnë në punë me meritë në Shqipëri, në raport me ambicien për të shërbyer në shtetin shqiptar, për shtetin shqiptar”, deklaroi Rama.
Përmes “Shkallës së Meritës”, qeveria synon të krijojë një sistem ku vlerësimi i punonjësve të administratës të lidhet më drejtpërdrejt me performancën dhe mundësitë e zhvillimit profesional. Rama e paraqiti këtë nismë si pjesë të një procesi më të gjerë transformimi, krahas BESA-s dhe platformës “Pasqyra”, e cila, sipas tij, synon të mbledhë administratën shtetërore në një sistem të vetëm.
Kryeministri bëri të ditur se reforma mbështetet edhe në një anketë të brendshme, ku nëpunësit civilë kanë dhënë në mënyrë anonime mendimet e tyre për funksionimin e administratës dhe mundësitë e përmirësimit të saj.
Procesi i vlerësimit pritet të nisë nga drejtuesit e lartë, veçanërisht sekretarët e përgjithshëm të ministrive. Rama argumentoi se përgjegjësia e tyre ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e të gjithë sistemit.
“Sekretarët e përgjithshëm janë fillimi i një procesi vlerësimi që shkon nga lart-poshtë dhe ku, nëse ata çedojnë, çedon i gjithë sistemi”, tha ai.
Sipas kryeministrit, punonjësit mund t’i nënshtrohen testimeve periodike, përmes të cilave mund të rrisin pikët dhe mundësitë për të avancuar në karrierë.
Një tjetër çështje që Rama kërkoi të shqyrtohet lidhet me të rinjtë që përfundojnë programet e ekselencës dhe angazhohen për një vit në administratë, por më pas mbeten jashtë sistemit, edhe kur kanë pasur rezultate të mira.
Ai tha se duhet të gjenden mënyra për të shmangur ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies së punës për këta të rinj. Megjithatë, rezultatet konkrete të reformës do të varen nga mënyra se si do të zbatohen kriteret e vlerësimit, si do të garantohet konkurrimi i drejtë dhe nëse performanca do të ndikojë realisht në punësim dhe avancim profesional.