Politike
Shqipëria, Greqia dhe RMV kandidaturë të përbashkët për Prespën në UNESCO, BE jep 2 mln €
Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur përgatitjet për një kandidaturë të përbashkët, me synimin që rajoni i Prespës të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Bashkimi Europian do të mbështesë procesin me 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit, që do të shërbejë si bazë për përgatitjen e dosjes trepalëshe.
Ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u takua në Prespë me ministren greke të Kulturës, Lina Mendoni, dhe ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani. Lajmin e bëri të ditur vetë Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qëndrueshëm”, shkroi ministri shqiptar.
Nisma synon të forcojë bashkëpunimin mes tri vendeve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë natyrore, historike dhe kulturore të Prespës, si dhe për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në të gjithë rajonin.
Një prej instrumenteve të këtij bashkëpunimi është projekti ACT4PRESPA, i financuar nga Bashkimi Europian, i cili përfshin institucione nga të tri vendet në përpjekjet për konservimin, digjitalizimin dhe promovimin e vlerave të Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël.
Sipas Gonxhjas, synohet gjithashtu krijimi i itinerareve të përbashkëta turistike, zhvillimi i ekspeditave dhe misioneve kërkimore për njohjen dhe promovimin e Prespës dhe Ohrit, si dhe organizimi i shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore mes komuniteteve të vendeve fqinje.
Në pjesën shqiptare të Prespës, ndërhyrjet e përmendura nga ministri përfshijnë restaurimin e pikturave murale në Kishën e Shën Marisë në Maligrad, ndriçimin e kishës dhe të shtegut përreth, si dhe Shtëpinë Muze të shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç.
Përfshirja e Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s mund të rrisë vëmendjen ndërkombëtare ndaj rajonit, të forcojë mbrojtjen e trashëgimisë dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale.
Megjithatë, procesi është ende në fazën përgatitore. Studimi i fizibilitetit do të ndihmojë në përcaktimin e bazës së kandidaturës, ndërsa përfshirja në listën e UNESCO-s do të varet nga përgatitja e dosjes dhe vlerësimi sipas kritereve të organizatës.