✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Krim i rëndë/ Dy viktima dhe një i plagosur rëndë, autori vetëdorëzohet në polici

Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur në një ngjarje të rëndë të regjistruar në Gjilan, Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, një 30-vjeçar u gjet i vrarë brenda një automjeti në fshatin Livoç i Ulët, ndërsa një 30-vjeçare u dërgua në Spitalin e Gjilanit pa shenja jete.

Një person tjetër mbeti i plagosur dhe u transportua drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia bëri të ditur se personi i dyshuar për ngjarjen është vetëdorëzuar në polici. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai kishte lidhje familjare me viktimat.

Rrethanat e ngjarjes dhe motivet e mundshme mbeten për t’u sqaruar nga hetimet e autoriteteve kompetente.

Njoftimi i Policisë:

Sot, më 09.10.2026, rreth orës 14:25, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka pranuar një informatë lidhur me të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.

Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i DRP, Gjilan.

Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.

Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë ende nuk dihet.

I dyshuari është vetëdorëzuar,ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit.

Advertisement