Bota
DHURATA PER PUTININ JANE BOMBA PER UKRAINEN/ ZELENSKY SHPERTHEN KUNDER TRUMPIT
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kundërshtuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për lehtësimin e përkohshëm të kufizimeve ndaj naftës ruse, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund t’i japë Moskës më shumë mundësi për të financuar luftën në Ukrainë.
Në një reagim në platformën X, Zelensky kritikoi lëshimet ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke argumentuar se lehtësimi i sanksioneve, pa një marrëveshje të qartë për uljen e tensioneve, shihet si shenjë dobësie dhe mund të zgjasë konfliktin.
“Lëshimet ndaj Putinit nuk do të sjellin paqe”, deklaroi presidenti ukrainas, duke paralajmëruar se Rusia mund t’i përgjigjet lehtësimit të kufizimeve me intensifikimin e sulmeve dhe të asaj që ai e cilësoi si terror.
Reagimi i Zelenskyt vjen pas njoftimit të Uashingtonit për lehtësimin e përkohshëm të kufizimeve ndaj produkteve ruse të naftës, pas një bisede telefonike mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, të ardhurat nga shitja e produkteve energjetike mund t’i shërbejnë Moskës për të mbështetur vazhdimin e luftës. Ai kërkoi që çdo hap drejt uljes së tensioneve të bazohet në reciprocitet dhe në masa konkrete, që të çojnë drejt përfundimit të konfliktit.
Deklaratat e Zelenskyt nxjerrin në pah kundërshtitë mes Kievit dhe Uashingtonit lidhur me mënyrën se si duhet të ushtrohet presioni ndaj Rusisë dhe cilat masa mund të ndihmojnë në arritjen e paqes në Ukrainë.