Aktualitet
SPAK zbardhi vrasjen e Renis Dobrës, prek me fjalët motra e 23-vjeçarit
Pas përfundimit të hetimeve dhe dërgimit për gjykim të dosjes nga SPAK, motra e 23-vjeçarit Renis Dobra ka ndarë një dedikim rrëqethës në rrjetet sociale. Përmes fjalëve të mbushura me dhimbje, ajo kujton vëllain e vetëm, momentet e kaluara së bashku dhe pengjet që i kanë mbetur pas humbjes së tij.
Një vit e tre muaj pas vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Madhesh të Matit, motra e tij ka emocionuar me një mesazh të gjatë kushtuar vëllait të ndjerë.
Postimi vjen pas zbardhjes së ngjarjes dhe dërgimit të dosjes për gjykim nga SPAK. Në një fotografi të publikuar në TikTok, ku shfaqet pranë varrit të të vëllait, e reja ka shprehur dhimbjen e thellë dhe vështirësinë për të pranuar humbjen e tij.
“Reni motrës Kanë kaluar 1 vit e 3 muaj pa ty, por zemra ime ende nuk arrin ta besojë që ti nuk je më këtu. Ende të pres. Ende më duket sikur do të shoh, sikur do të dëgjoj zërin tënd, sikur do të vijë ai moment kur do të mund të përqafoj përsëri. Më mungon… më mungon më shumë nga sa mund ta shpjegojnë fjalët”, shkruan ajo.
Në rrëfimin e saj, motra e 23-vjeçarit kthehet pas në kohë, duke kujtuar çastet e përbashkëta, bisedat dhe të qeshurat që tashmë janë kthyer në kujtime të pazëvendësueshme. Ajo tregon se malli është aq i madh, sa shpesh shpreson ta takojë të vëllain të paktën në ëndrra.
“Me lot në sy kujtoj çdo moment me ty. Çdo të qeshur, çdo bisedë, çdo gjë të vogël që dikur më dukej normale dhe sot do të jepja gjithçka vetëm ta përjetoja edhe një herë.
Ka net kur fle dhe pres të të shoh në ëndërr. Dhe kur zgjohem e kuptoj që nuk të pashë, mërzitem shumë. Sepse në ëndërr është i vetmi vend ku zemra ime shpreson të takojë përsëri”, vijon postimi.
Mes dhimbjes dhe nostalgjisë, ajo ndalet edhe te pengjet që i kanë mbetur. Përqafimet që do të donte t’ia kishte dhuruar më shpesh, fjalët e dashurisë që nuk ia tha mjaftueshëm dhe debatet e vogla mes motrës e vëllait janë disa nga kujtimet që sot i rëndojnë në zemër.
Do të shtrëngoja fort dhe nuk do të lija. Do të thosha sa shumë të dua. Do të thosha sa shumë më ke munguar. Do të kërkoja falje një mijë herë për çdo herë që të kam ngritur zërin, për çdo fjalë që ndoshta të ka lënduar, për çdo gjë që nuk ta plotësova kur ti e deshe.
Më fal, vëllai im.
Sot do të doja të mos kisha kursyer asnjë përqafim, asnjë të dua, asnjë minutë me ty.
Por dua të dish diçka,unë të kam dashur gjithmonë. Edhe kur jam mërzitur, edhe kur të kam bërtitur, edhe kur nuk kemi qenë dakord. Dashuria ime për ty ka qenë aty dhe do të jetë gjithmonë”, thuhet në shkrim.
Në një tjetër pjesë të dedikimit, e reja përshkruan boshllëkun që ka lënë mungesa e vëllait të vetëm. Ajo rrëfen dëshirën për t’i treguar gjithçka ka ndodhur gjatë kësaj kohe, për ta telefonuar apo për të ndarë me të shqetësimet dhe gëzimet e përditshme, ndonëse e di se kjo nuk është më e mundur.
“Ti nuk ishe thjesht vëllai im.
Ti ishe vëllai im i vetëm.
Drita e syve të mi.
Një pjesë e zemrës sime.
Dhe tani që nuk je këtu, e kuptoj sa shumë nga zemra ime ke marrë me vete.
Do të doja të tregoja gjithçka që ka ndodhur që kur ike. Do të doja të tregoja sa herë më ka marrë malli, sa herë kam qarë fshehurazi, sa herë kam dashur të telefonoj e pastaj më është kujtuar se nuk mundem.”
Dedikimi përmbyllet me një mesazh dashurie për vëllain, të cilin ajo premton se do ta mbajë gjithmonë të gjallë në kujtimet dhe zemrën e saj.
“Por mbi të gjitha do të doja të thoja edhe një herë
Të dua, vëllai im.
Më fal për gjithçka.
Më mungon çdo ditë.
Dhe nuk do të harroj kurrë.
Nëse dashuria do të mund të sillte përsëri, ti do të ishe këtu në krahët e mi.
Deri atëherë, do të mbaj në zemër, në kujtime, në çdo lot dhe në çdo buzëqeshje që më sjell ndër mend ty.
Pusho i qetë, vëllai im i shtrenjtë.
Motra jote do të dojë përgjithmonë”, përfundon postimi.
Vrasja e Renis Dobrës
Renis Dobra, 23 vjeç, u vra në korrik të vitit të kaluar në një ngjarje të rëndë kriminale në zonën e Matit.
Sipas hetimeve, të dyshuar për krimin janë tre vëllezërit Krist, Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj, si dhe Petrit Çakri. Ata dyshohen se e kanë rrëmbyer të riun, e kanë vrarë duke e mbytur me litar dhe më pas kanë hedhur trupin e tij, së bashku me automjetin, në liqenin e Shkopetit.
Hetuesit dyshojnë se ngjarja ka lidhje me konflikte të mundshme që lidhen me trafikun e drogës.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim, ndërsa përgjegjësia penale e të pandehurve mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata.