✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

I dehur në timon, tentoi t’i ikte policisë italiane, shqiptari përfundon në pranga

Një 57-vjeçar shqiptar është arrestuar në Padova të Italisë, pasi tentoi t’u largohej forcave të policisë me automjet, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës. Sipas mediave italiane, ai drejtonte makinën me një nivel alkooli prej 2,2 gramësh për litër gjak dhe përshkoi rreth një kilometër në sens të kundërt të qarkullimit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit, gjatë natës mes së dielës dhe së hënës. Shqiptari ishte në timonin e një automjeti tip “Ford Focus” dhe lëvizi nëpër lagjet Guizza dhe Voltabarozzo, përpara se të vijonte përgjatë Lungargine Ziani, në drejtim të kundërt me trafikun. Gjatë lëvizjes, ai hipi edhe në trotuare, duke detyruar patrullat e policisë të ndërhynin për të shmangur aksidente të mundshme.

Ndjekja përfundoi në rrugën Guasti, ku ndërhynë së bashku karabinierët dhe Policia e Shtetit. Testi i alkoolit konfirmoi se 57-vjeçari ishte në gjendje të rëndë dehjeje. Ai u arrestua për rezistencë ndaj një zyrtari publik, ndërsa gjatë kontrollit të çantës së tij u gjet edhe një kaçavidë.

Në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Një shtetas moldav, 47 vjeç, u procedua pasi dyshohet se goditi një efektiv policie gjatë kontrollit, ndërsa një shtetas rumun u procedua për dehje të dukshme në një vend publik.

Ndërkohë, komisari i policisë së Padovës, Marco Odorisio, ka nisur procedurat për të vlerësuar mundësinë e revokimit të lejes së qëndrimit të shqiptarit. Sipas raportimeve të mediave italiane, 57-vjeçari ka precedentë të mëparshëm.

Advertisement