✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

BKH zbarkon në qelinë e Ergys Agasit, kontrolle të befasishme në paraburgimin e Bradasheshit

Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH ka ndërmarrë mëngjesin e sotëm një kontroll të befasishëm në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, ku mes personave të izoluar ndodhet edhe Ergys Agasi.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa telefona celularë. Informacioni është bërë i ditur nga një punonjës i institucionit penitenciar, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet.

Kontrollet raportohet se vijojnë edhe në këto momente, ndërsa mbetet e paqartë nëse aksioni është përqendruar vetëm në qelinë e Agasit apo është shtrirë edhe në ambiente të tjera të paraburgimit.

Ky është kontrolli i dytë brenda një muaji në paraburgimin e Bradasheshit. Rreth një muaj më parë, SPAK urdhëroi një tjetër kontroll në sektorin ku mbahet Ergys Agasi, i akuzuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjatë atij operacioni, në kuzhinën e sektorit u gjetën dhe u sekuestruan pije alkoolike, si dhe disa pajisje wireless, të cilat u dërguan për ekspertim. Kontrolli ishte zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga SPAK në rrugë operative, përmes BKH-së.

Ergys Agasi, i akuzuar se ka shërbyer si koordinator mes grupeve kriminale dhe kryeministrit Edi Rama, u arrestua në zonën e Plepave, në Durrës, pas tetë muajsh në arrati. Më herët, në Francë ishte arrestuar edhe biznesmeni Ermal Beqiri, i akuzuar si bashkëpunëtor i ngushtë i tij.

Ndërkohë, kontrolli i sotëm vjen vetëm pak orë pas largimit të Adriatik Kupit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Advertisement