Bota
Arrestohet në New York aktorja Selma Blair, dyshohet se kafshoi stjuardesat dhe tentoi të hapte derën e avionit
Aktorja amerikane Selma Blair është arrestuar dhe dërguar në spital të dielën, më 11 tetor, pas një incidenti në bordin e një avioni të kompanisë Delta Airlines, që fluturonte nga Los Angeles drejt Nju Jorkut.
Autoritetet e aeroportit ndërhynë pas një njoftimi për një pasagjere që kishte ushtruar dhunë fizike gjatë fluturimit. Dy anëtare të ekuipazhit mbetën të plagosura, ndërsa njëra prej tyre u dërgua në spital.
Më pas, në spital, ajo dyshohet se sulmoi edhe një infermiere, e cila ngriti padi për incidentin.
Sipas “Page Six”, aktorja përballet me dy akuza federale për sulm, ndërsa për ngjarjet e dyshuara ndaj oficerit të policisë dhe infermieres janë ngritur akuza në nivel shtetëror. FBI-ja po heton incidentin.
Në një deklaratë për BBC-në, zëdhënësi i Blair tha se aktorja kishte përjetuar një urgjencë mjekësore, e cila çoi në sjelljen e dyshuar. Sipas tij, pas uljes së avionit, ajo mori menjëherë ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Delta Airlines konfirmoi se autoritetet ndërhynë pas mbërritjes së fluturimit në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në Nju Jork. Kompania theksoi se incidenti nuk ndikoi në fluturim dhe se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet përparësia kryesore.
Selma Blair, 54 vjeçe, është e njohur për rolet e saj në filmat “Cruel Intentions”, “Legally Blonde” dhe “Hellboy”. Në vitin 2018, ajo bëri të ditur se ishte diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë.