✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Shpërthen me eksploziv makina e avokatit Idajet Beqiri, ishte parkuar pranë…

Automjeti i avokatit Idajet Beqiri është hedhur në erë me eksploziv. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, ndërsa mjeti ishte parkuar pranë Gjykatës Civile në Tiranë. Shpërthimi ka qenë i fortë dhe siç shihet në foton që sjell Report Tv makina tip ‘Benz’ ka pësuar dëme të mëdha në pjesën e pasme. Si pasojë, raportohet vetëm për dëme materiale.

Vetë Idajet Beqiri rezulton të ketë qenë në Bruskel. Ai pritej të mbërrinte mbrëmë në Tiranë, por iu anulua fluturimi. Ndërsa makina së cilës iu vendos eksploziv rezulton në pronësi të bashkëshortes së tij, Nexhi Beqiri, po ashtu me profesion avokate.

Ende nuk dihen autorët, ndërsa Policia ka ngritur një grup hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pritet të këqyren kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

“Rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, para një pallati, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, e vendosur në automjetin e parkuar në pronësi të shtetases N. B. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, njoftoi Policia.

Nuk përjashtohet pista që shpërthimi të ketë ndodhur si një mesazh kërcënues për shkak të detyrës si avokat, apo edhe për denoncimet e shumta që avokati Beqiri ka ngritur herë pas here.

Advertisement