Politike
“Goditja e Policisë nuk është protestë”/ Ministri i Brendshëm bën thirrje për qetësi
Ministri Ervin Demo ka reaguar pas përplasjeve gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, duke dënuar dhunën ndaj efektivëve të policisë dhe duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë.
Në reagimin e tij, Demo bëri të ditur se gjashtë punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë ndërhyrjes për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, deklaroi ministri.
Ai u uroi shërim të shpejtë efektivëve të lënduar, duke shprehur solidaritetin e tij me ta dhe familjet e tyre. Demo theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrat e saj, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar në përputhje me ligjin.
Në përfundim, ministri u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të kontribuojnë në uljen e tensioneve, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të justifikohet.