Politike
Arrestimi i Vlora Hysenit/ Rama nga Luksemburgu: Pandëshkueshmëria ka marrë fund
Kryeministri Edi Rama është pyetur në Luksemburg edhe për zhvillimet e brendshme në Shqipëri, përfshirë projektin e planifikuar në Zvërnec dhe arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Sa i përket projektit në Zvërnec, për të cilin është përmendur edhe emri i Jared Kushnerit, Rama deklaroi se synimi është realizimi i një investimi që të jetë në harmoni me natyrën. Ai theksoi se projekti është më i gjerë sesa një emër i vetëm dhe se reagimet publike kanë ndikuar, sipas tij, në përmirësimin e tij.
“Do t’ju ftoja të vini në Shqipëri, sepse nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh me filtrat e medias online. Nuk e di çfarë kuptoni me projektin e Kushnerit, por është përmendur një projekt që përfshin shumë më tepër sesa një emër”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se qeveria synon ta kthejë projektin në një model të investimit në harmoni me mjedisin, ndërsa vlerësoi se diskutimet dhe kundërshtimet publike kanë ndihmuar në rishikimin e tij.
I pyetur për arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Rama e lidhi çështjen me funksionimin e reformës në drejtësi. Ai deklaroi se institucionet e drejtësisë po ushtrojnë kompetencat e tyre dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
“Kur e nisëm këtë rrugëtim, njiheshim si atdheu i pandëshkueshmërisë, ndërsa tani njihemi si pararojë. Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Askush nuk është më mbi ligjin”, deklaroi kryeministri.
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur projekti në Zvërnec dhe zhvillimet në institucionet e drejtësisë vijojnë të jenë pjesë e debatit publik në Shqipëri.