Aktualitet
Katovica e Re!
Nga Arian Galdini
Çfarë është Katovica e Re?
Heroizëm me mëditje.
Por jo vetëm.
Katovica e Re është arti i humbjes së kontrolluar të pushtetit.
Jo medoemos një dokument sekret.
Jo një procesverbal që pret të dalë nga ndonjë kasafortë.
Jo domosdoshmërisht një tavolinë ku armiqtë e ditës takohen natën dhe firmosin të njëjtën letër.
Mund të jetë plan, ujdi ose thjesht konvergjencë, secili ndjek interesin e vetë dhe, pa një dirigjent të vetëm, interesat përfundojnë duke ruajtur të njëjtin kufi.
Katovica e Re është emri që i jap këtij mekanizmi, konsensusit negativ mbi kufijtë e kundërshtimit të pranueshëm, dhe mbi pasardhësin e pranueshëm të një rendi që e di se nuk mund të jetë i përjetshëm.
Sepse nuk është e nevojshme ta mbash përgjithmonë karrigen që të mbijetosh.
Mund të humbasësh postin dhe të ruash hyrjen.
Mund të humbasësh qeverinë dhe të ruash rrjetin.
Mund ta pranosh pluralizmin dhe të luftosh për të pasur fjalë mbi atë që pluralizmi do të prodhojë.
Mund ta dorëzosh fronin dhe të kërkosh pjesën tënde te trashëgimtari.
Pushteti që nuk mund ta zotërojë përgjithmonë të tashmen mund të përpiqet të hipotekojë të ardhmen.
Aty fillon Katovica.
Emrin e marr nga kujtesa politike e tranzicionit shqiptar.
Jo sepse më duhet një dokument mitik.
Përkundrazi.
Ka studimie mbi vitin 1990 që merren drejtpërdrejt me përpjekjet e PPSH-së për zgjedhje fiktive dhe me konceptin e atëhershëm të “pluralizmit të masave”: përdorimin e organizatave satelite si subjekte formalisht konkurruese në vend të pluralizmit politik real.
Kjo është rrënja e alegorisë sime.
Jo historia e një çelësi që kaloi nga një dorë te tjetra.
Por pyetja:
Çfarë bën një pushtet kur kupton se monopoli i tij po mbaron?
A largohet edhe nga e ardhmja?
Apo përpiqet të hyjë brenda rendit që po e zëvendëson?
Nuk ka nevojë të ruajë çdo post.
Mjafton të ruajë hyrjet, rrjetet dhe burimet e ndikimit, të ketë ende fuqi mbi atë se cilët njerëz ngrihen, cilat figura marrin respektueshmëri dhe cilat alternativa arrijnë të bëhen politikisht të imagjinueshme.
Katovica e vjetër, në alegorinë time, ishte përpjekja për ta lejuar pluralizmin pa humbur ndikimin mbi kushtet e tij.
Katovica e Re shtron pyetjen tjetër:
A mund ta lejosh ndryshimin dhe të përpiqesh njëkohësisht të hysh brenda asaj që do të vijë pas teje?
Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria e vitit 1990.
Por tundimi i pushtetit për të jetuar përtej vetes nuk ka arsye të ketë vdekur.
Rama dhe Berisha nuk janë i njëjti pushtet.
Nuk kanë të njëjtat interesa.
Nuk kanë nevojë as të merren vesh për gjithçka.
Katovica e Re nuk ka nevojë që rivaliteti i tyre të jetë i rremë.
Teza ime është më e thellë e më e fortë pikërisht sepse rivaliteti mund të jetë real, pra mund të luftosh vërtet për pushtetin dhe njëkohësisht të kesh interes që ndryshimi jashtë rendit tënd të mos bëhet i pakontrollueshëm.
Prandaj pyetja nuk është vetëm se kush do të qeverisë.
Është:
Kush do të arrijë të bëhet alternativë ndaj atyre që kanë qeverisur?
Dhe, më tej:
Kush do ta trashëgojë rendin kur fytyrat e tij të vjetra të mos munden më të mbajnë gjithë peshën e së nesërmes?
Këtu Katovica e Re merr kuptimin e saj.
Nuk ka pse t’i ndalojë partitë e reja.
Mund t’i duhen.
Nuk ka pse t’i zhdukë rebelët.
Mund t’i duhen.
Nuk ka pse ta shuajë zemërimin.
Mund t’i duhet edhe ai.
Një rend i sofistikuar nuk lufton domosdoshmërisht çdo gjë të re.
Mund të përpiqet të zgjedhë cilën të re do të ndihmojë të bëhet e madhe.
Kështu lind surrogati politik.
Jo medoemos si krijesë laboratori.
Jo medoemos me urdhër.
Jo domosdoshmërisht si mashtrim i vetëdijshëm.
Mund të lindë realisht.
Mund të ketë njerëz të ndershëm.
Mund ta besojë ndryshimin që premton.
Sepse surrogati nuk ka nevojë ta dijë se është surrogat.
Katovica moderne nuk ka pse të prodhojë kukulla.
Mjafton të prodhojë shpërblime dhe kufij.
Ta bëjë të leverdishëm kundërshtimin që mund të administrohet.
Ta bëjë më të kushtueshëm kundërshtimin që prek rendin e hyrjeve.
Pjesën tjetër mund ta bëjë vetë njeriu.
Aty lind Heroi me Mëditje.
Partia surrogato është forma organizative e Katovicës.
Heroi me Mëditje është forma njerëzore.
Mund të jetë i zoti.
I ditur.
Profesional.
Mund të ketë punë pas vetes, ide, histori, bindje të vërteta.
Pikërisht prandaj është i dobishëm.
Një mekanizëm i sofistikuar nuk ka nevojë për mediokrin.
I duhet diçka më e vlefshme, pranueshmëria.
Heroi duhet të jetë mjaftueshëm kundër që publiku të shohë rebelin dhe mjaftueshëm i parashikueshëm që portieri të mos shohë fundin e portës.
Mjaftueshëm i ri për të mishëruar përmbysjen.
Jo aq i pavarur sa t’ia heqë portierit të drejtën për të mbetur portier.
I revoltuar me orar.
I rrezikshëm me ftesë.
Anti-sistem me minutazh.
I papërkulur deri te dera që nuk duhet prekur.
Vetëm këtu Katovica prek Grykën e Gërrnetës.
Gryka kontrollon kalimin nga vlera te mundësia.
Katovica kontrollon kalimin nga kundërshtimi te alternativa.
Në Grykë, merita mund të fitojë bashkëpronar.
Në Katovicë, kundërshtimi mund të fitojë bashkëpronar.
Heroi mund ta ketë kundërshtimin krejt real.
Problemi fillon kur nuk mund ta përdorë më lirisht kundër interesit të atij që kontrolloi hyrjen.
Atëherë kundërshtimi nuk është më krejt i autorit të vetë.
Ka fituar bashkëpronar.
“Mëditja” nuk është medoemos para.
Paraja do të ishte forma më primitive.
Mëditja moderne mund të jetë ekran.
Ftesë.
Dera që hapet.
Reputacion i huazuar.
Certifikim.
Afërsi.
Pyetja që nuk bëhet.
Gabimi që nuk rikthehet.
Kritika që arrin deri te personazhi dhe ndalet përpara marrëdhënieve që e ngritën.
Heroi me Mëditje merr kapitalin moral të rebelit pa paguar domosdoshmërisht çmimin e rebelimit.
Pastaj nis prodhimi.
Një figurë publike dëshmon integritetin.
Një gazetar garanton profesionalizmin.
Një aktivist flet për karakterin.
Një moderator zbulon se “ky është ndryshe”.
Vjen studioja.
Studioja prodhon njohshmëri.
Njohshmëria prodhon studion tjetër.
Dhe studioja tjetër shërben tashmë si provë se njeriu ka rëndësi.
Referencat shumëzohen.
Prova mund të mbetet po ajo.
Përzgjedhja është kthyer në zbulim.
Dhe pyetja e parë është harruar:
Kush ta hapi derën?
Katovica moderne ka një armë më të fuqishme se urdhri.
Borxhin.
Favori krijon borxh.
Dhe borxhi, kur kuptohet mirë, e kursen urdhrin.
Askush nuk ka pse t’i telefonojë Heroit çdo mëngjes.
Mos e prek këtë.
Mos e thuaj atë.
Mos shko deri atje.
Heroi mund ta dijë vetë kush ia dha ekranin, kush ia transferoi reputacionin dhe kush mund t’ia ngushtojë përsëri rrugën.
Kufiri më efikas nuk qëndron jashtë tij.
Vendoset brenda.
Katovica nuk ka nevojë t’i vendosë rojë Heroit.
Mund ta mësojë Heroin të ruajë vetë kufirin.
Urdhri prodhon bindje.
Vetëkufizimi mund të vazhdojë të duket si liri.
Dhe njeriu mund të jetë krejt i sinqertë kur thotë:
Askush nuk më ka urdhëruar.
Mund të ketë të drejtë.
Askush nuk kishte pse.
Prandaj privilegji më i madh i Heroit nuk është lavdërimi.
Është përjashtimi nga verifikimi.
Mund të shahet.
Mund të ketë armiq.
Mund të përplaset në studio.
Madje pak baltë mund t’i hyjë në punë, ia plotëson biografinë e rebelit.
Por sharja nuk provon pavarësi.
Lavdërimi nuk provon vartësi.
Ekrani nuk provon mëditje.
Për Heroin me Mëditje kam vetëm tri pyetje:
Kush ta dha hyrjen?
Cilin interes të atij që ta dha ke cenuar?
Çfarë ndodhi kur e cenove?
Nëse figura prek realisht interesin e portierit, ruan standardin dhe përfitimi nuk ia ndryshon qëndrimin, hipoteza dobësohet.
Dhe duhet të dobësohet.
Sepse teoria që shpall fajtor çdo rezultat nuk është teori.
Është paragjykim.
Por nëse përfitimi vazhdon vetëm deri te një kufi, nëse zëri zbutet pikërisht aty ku nis interesi dhe çmimi shfaqet vetëm kur preket ajo që nuk duhej prekur, aty fillon mëditja.
Jo te fama.
Te kushti.
Ky mekanizëm nuk lind në një fushë neutrale.
Në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ODIHR konstatoi se konkurrentët nuk gëzuan një fushë të barabartë, monitorimi tregoi se dy forcat kryesore dominuan mbulimin televiziv, ndërsa në katër televizionet e monitoruara asnjë konkurrent tjetër nuk mori mbi 5 për qind.
Raporti kërkoi gjithashtu që materialet e prodhuara nga partitë ose qeveria të etiketohen si reklamë politike dhe të mos përdoren si përmbajtje editoriale. (OSCE ODIHR)
Kjo nuk provon Katovicën e Re.
Provon terrenin, dukshmëria politike nuk shpërndahet vetvetiu në mënyrë të barabartë.
Portieri modern nuk ka nevojë të të ndalojë.
Mjafton që disa emra të përsëriten derisa të bëhen të pashmangshëm dhe të tjerë aq rrallë sa publiku të mos ketë kohë t’i njohë.
Sepse politika nuk fillon ditën e votimit.
Fillon më herët, te emrat që qytetari mëson, te fytyrat që i bëhen familjare, te njerëzit që fillon t’i konsiderojë të mundshëm.
Këtu ndodhet operacioni më i hollë, jo zgjedhja pas përzgjedhjes.
Përzgjedhja përpara zgjedhjes.
Ky është pushtet mbi diçka më të hershme se vota, mbi horizontin e asaj që mund të shihet si zgjedhje.
Prandaj nuk kam nevojë të them se PS-ja dhe PD-ja janë e njëjta gjë.
Nuk janë.
As se Rama dhe Berisha merren vesh për gjithçka.
Nuk merren.
Teza nuk ka nevojë për këtë karikaturë.
Rivaliteti mund të jetë real dhe interesi sistemik të përputhet në pika të caktuara.
ODIHR vuri në dukje se sistemi zgjedhor u ndryshua përpara zgjedhjeve të vitit 2025 pas një marrëveshjeje PS – PD, pa konsultim publik gjithëpërfshirës dhe në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare. (OSCE ODIHR)
Ky fakt nuk provon Katovicën.
Provon vetëm këtë, lufta për pushtetin nuk e përjashton dakordësinë mbi rregullat e hyrjes.
Dhe këtu mbërrijmë te zemra e veprës.
Një rend i vjetër nuk ka nevojë të fitojë çdo zgjedhje.
Nëse mundet, do ta bëjë.
Por ekziston një fitore më e rafinuar, të humbasë vetëm ndaj dikujt që nuk ia heq të drejtën të mbetet portier.
Jo të fitosh përjetë.
Të administrosh edhe humbjen.
Jo të zotërosh çdo qeveri.
Të kesh fjalë mbi trashëgimtarin.
Jo ta ndalosh ndryshimin.
Ta parapërzgjedhësh.
Ky është arti i humbjes së kontrolluar të pushtetit.
Partia surrogato nuk dallohet nga logoja, mosha apo retorika.
Mund të lindë realisht.
Mund të ketë njerëz të ndershëm.
Mund ta besojë ndryshimin që premton.
Surrogati nuk është domosdoshmërisht gënjeshtar.
Është funksion.
Dhe funksioni zbulohet te arkitektura e varësisë:
Kush ia dha dukshmërinë?
Nga cilat burime varet?
Çfarë ndodh kur prek interesin e tyre?
Partia surrogato nuk dallohet nga emri i ri.
Dallohet nga kufiri i vjetër që nuk arrin të kapërcejë.
Edhe revolta prodhon diçka që mund të kapet, reputacion.
Në qershor 2026, mijëra qytetarë protestuan kundër projektit pranë Vjosë – Nartës, me flamingot pjesë të dukshme të simbolikës së mobilizimit.
Më 3 tetor, qeveria hapi “Pasqyrën e Flamingos” për dosjen Zvërnec–Sazan.
Këto janë faktet.
Interpretimi im është politik, pushteti nuk ka gjithmonë nevojë ta mposhtë simbolin.
Mund të përpiqet ta marrë.
Ta përkthejë.
Ta administrojë.
E njëjta gjë mund t’i ndodhë revoltës përmes njeriut që fillon ta përfaqësojë atë.
Heroi me Mëditje nuk ka nevojë ta tradhtojë sheshin.
Mjafton të vendoset mes zemërimit dhe mikrofonit, mes shumësisë dhe ekranit.
Atëherë njeriu që kaloi portën mund të fillojë të bëhet vetë portier.
Prandaj spektakli nuk më bind.
Dosja.
Skandali.
Videoja.
Emri.
Fyerja.
Studioja.
Të nesërmen një tjetër.
Heroi mund t’i komentojë të gjitha.
Mund të jetë çdo natë në betejë dhe të mos hapë asnjë konflikt që i kushton burimin e aksesit.
Sepse të shqiptosh një emër pasi ai është bërë skandal nuk është heroizëm.
Pavarësia provohet te interesi që prek, te rregulli që kërkon të ndryshosh, te standardi që nuk e ndërron kur çështja prek mikun dhe te “jo”-ja që nuk e shet kur shfaqet çmimi.
Gryka ndëshkon “jo”-në që nuk kontrollon.
Katovica shpërblen “jo”-në që mund ta administrojë.
Pastaj vjen certifikimi.
Figura që pretendon përmbysjen fillon të bëhet çuditërisht e pranueshme për qendra që për pothuaj gjithçka tjetër paraqiten si të papajtueshme.
Secili gjen tek ajo virtytin që i duhet.
Dhe në skenën përfundimtare të alegorisë edhe polet e mëdha mund të gjejnë secili arsyen e vetë për ta respektuar.
Rebel i certifikuar.
Përmbysës i pranueshëm.
Anti-sistem që hyn nga dera e sistemit.
A provon kjo Katovicën?
Jo.
Prandaj mbeten vetëm tri pyetjet:
Kush ta dha hyrjen?
Cilin interes të tij ke cenuar?
Çfarë ndodhi kur e cenove?
Përfitim.
Burim.
Interes.
Cenim.
Reagim.
Pa këtë zinxhir kemi indicie.
Me të fillon prova.
Sepse Heroi me Mëditje nuk është njeriu që shfaqet shumë, që fiton para apo që lavdërohet.
Është figura te e cila përfitimi dhe kufiri i kundërshtimit fillojnë të ecin së bashku.
Dhe tani kthehemi te pyetja e parë.
Katovica e vjetër, në alegorinë time, pyeste:
Si mund të mbijetojë pushteti i vjetër brenda pluralizmit që po lind?
Katovica e Re pyet:
Si mund të mbijetojë rendi i vjetër brenda ndryshimit që po vjen?
E para kërkonte ndikim mbi rendin që lindte.
E dyta kërkon ndikim mbi atë që premton se do ta zëvendësojë rendin.
Katovica nuk ka nevojë ta shkatërrojë kundërshtimin.
Mund t’ia privatizojë trashëgiminë.
Mund të kërkojë pjesë në të ardhmen.
Dhe këtu dëmi më i rëndë nuk i bëhet Heroit.
I bëhet qytetarit.
Sepse njërit mund t’i jepet ekran për t’u bërë “alternativa”, ndërsa një tjetër mund të mbetet jashtë pamjes derisa mungesa e njohshmërisë t’i shitet publikut si mungesë vlere.
Pastaj qytetarit i thuhet:
Zgjidh.
Ai zgjedh.
Vota është e tij.
Lapsi është i tij.
Fleta është e tij.
Por kutia nuk mund t’i përgjigjet pyetjes:
Kush pati fuqi mbi njerëzit që arritën deri në imagjinatën e tij?
Aty qëndron tragjedia.
Jo qytetari pa votë.
Qytetari me votë, pasi beteja për horizontin e zgjedhjes së tij është zhvilluar shumë më herët.
Dhe tani mbetet vetëm tundimi i fundit i pushtetit.
Jo të zotërojë fronin.
Të zotërojë trashëgimtarin.
Nuk e ndalon pluralizmin.
Përpiqet ta trashëgojë.
Nuk e ndalon alternativën.
Përpiqet ta parapërzgjedhë.
Nuk e ndalon ndryshimin.
Përpiqet të hyjë brenda tij.
Heroi me Mëditje mund të mos shpërblehet fare që të heshtë.
Mund të shpërblehet që të flasë.
Të jetë i dukshëm.
Të denoncojë.
Të mishërojë revoltën.
Të premtojë fillimin.
Të bëhet fytyra e së nesërmes.
Me një kusht, që e nesërmja të mos ia heqë portierit të sotëm të drejtën për të pasur fjalë mbi të.
Sepse ambicia përfundimtare e një rendi që ka frikë të vdesë nuk është vetëm të fitojë.
Është më e madhe, të vazhdojë edhe pasi ka humbur.
Ky është Heroizmi me Mëditje.
Kjo është Katovica e Re.