✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

51 POLICE TE PLAGOSUR NGA DHUNA E EGER NE TIRANE

Tirana nuk e ka parë kurrë një ditë më parë si kjo e 14 tetorit. Disa qindra protestues, shumica të maskuar, mbollën shkatërrim në çdo rrugë që e shkelën për më shumë se 10 orë. Më shumë se 8 institucione, duke filluar nga kryesoret si Kryeministria, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, 3 ministri, Banka e Shqipërisë, komisariate policie e të tjera, u sulmuan. Në disa prej tyre njerëz të maskuar mësynë brenda dhe vunë zjarr.

Asgjë nuk i shpëtoi akteve vandale. Të paktën 4 banka të nivelit të dytë u shkatërruan, biznese private u plaçkitën dhe disa prej tyre u vodhën.  Vandalizimi nuk është ndalur në asnjë moment. Kudo ku kaloi protesta, nuk shpëtoi asnjë stol, asnjë kangjellë ndarëse në rrugë, tabelë e sinjalistikës rrugore, shtyllë dritash, kosh mbeturinash apo semafor pa u shkatërruar. Raportohet për 51 policë të lënduar, 5 protestues dhe 1 kalimtar, ndërsa 65 persona janë shoqëruar.

Gjithçka nisi në mesditë në Ministrinë e Arsimit. E ardhur nga një ditë më herët ku u kritikua për ndërhyrje të tepruar, policia e shtetit këtë ditë zgjodhi një tjetër strategji, të ishte e tërhequr por kjo nuk ka shmangur më shumë dhunë. Mbetur komplet e lirë të veprojë, demonstrues dhe militantë kane sulmuar pa asnjë pengesë institucionet, pasurinë publike dhe atë private, ndërkohë jo pak u rrezikuan edhe jetë njerëzish. Politikisht një autogol pasi kanë treguar që qëllimi nuk ishte një protestë paqësore.

Edhe pse duke filluar që nga ora 10 ishin studentë të disa fakulteteve të Tiranës që bojkotuan mësimin për të protestuar para Ministrisë së Arsimit, protagonizmin e morën të maskuarit, të pajisur mirë edhe me molotovë, që nuk pritën.

Vetëm një orë pasi protesta kishte nisur, rreth mesditës, nisi sulmi ndaj Godinës së Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin vetëm një grusht policësh. Vetëm prania e tyre bëri që të sulmoheshin me breshëri gurësh.

Për pak minuta dera e Ministrisë u hap dhe godina u bë viktima e parë e akteve guerile. Ora shënoi 11:57 minuta kur protestuesit u futën brenda Ministrisë së Arsimit.

Vetëm në këtë moment policia pati një reagim të vakët, ndërsa dhunës nuk i shpëtuan edhe gazetarët. Të rinj me maska vendosën një barrikadë mes tyre dhe mediave. Më shumë se 30 minuta më pas del autoboti i parë.

Në protestë edhe disa deputetë të Partisë Demokratike, të cilët mbeteshin në distancë. Përveç deputetit Paloka që u përzu nga protesta, të tjerët mbeten aty.

Blutë bënë apelin e parë ndaj protestuesve, të distancohen nga të maskuarit dhe aktet e dhunës. Huliganëve i kujtoi dënimin deri në 7 vite sipas Kodit Penal. Zjarri në Ministrinë e Arsimit bëri që policia të dilte në rrugë dhe hodhi për herë të parë gaz lotsjellës dhe arriti t’i shpërndante, të paktën për momentin.

Njëjtë si edhe protesta e së martës, sapo shpërndaheshin në rrugica protestuesit riktheshin, dhe mblidhnin kangjellat në formë barrikadash për t’i mbajtur larg policët.

Nisën shoqërimet e para. Nuk mungoi edhe një moment mirëorganizimi i shpërndarjes së maskave, kokoreve apo edhe dorezave.

Prej orësh tre autobotet qëndruan në rresht si barrikadë. Kanë qenë objektiv i gurëve pa fund.

Gjatë orëve në Rrugën e Durrësit, teksa tërhiqeshin protestuesit shkatërronin. Zjarret në godina private mund të sillnin edhe tragjedi.

Te ky zjarr në një institucion privat financiar, situatë shumë e rrezikshme. Pallati ngjitur por edhe ambasada e Vatikanit. Zjarrfikësve iu deshën më shumë se 20 minuta që të vinin.

Zhvendosja vijon për te sheshi Skëndërbej, ku të gjithë stolave plastikë aty u vihet flaka. Zjarri është i përmasave të mëdha, tymi mbulon qiellin e qendrës së kryeqytetit efekte

Ora shënoi 16:40 minuta, kur u njoftua lëvizja drejt Bulevardit Dëshmorët e Atdheut, ku janë institucionet kryesore. Rrugës vetëm shkatërrim. Efekte semaforë, kamera, i vënë flakën reklamave.

Te Ministria e Ekonomisë situata doli totalisht jashtë kontrollit. Protestuesit futen brenda.

Për minuta të tëra policia nuk dukej gjëkundi. Një grup i vogël tentoi të shpërndante protestuesit që plaçkitën Ministrinë dhe po ndiznin zjarr, por hasën në rezistencë. Gjendja në vështirësi e kolegëve të tyre, që po goditeshin me gurë, bëri që disa dhjetëra forca policie të afroheshin me urgjencë dhe ndërhynë.

Te Kryeministria u priten menjëherë me ujë i cili i zhvendosi drejt Piramindës ku shkatërruan thuajse gjithçka, një bankë, disa biznese private. Godinave në forme kubesh që janë aty, pjesa më e madhe biznese iu vu flaka.

Situata bëhet dramatike. Një makinë private u shkatërrua totalisht.

Molotovë Kryeministrisë, shoqëruar me një sulm të frikshëm gurësh drejt policëve

Edhe godinës përballë, Kryesisë së Kuvendit iu thyen xhamat më gurë, ndërsa tentohet të thyhet edhe dera për të hyrë brenda.

Mes kaosit dhe luftës edhe një akt heroik i një polici, zhvendos një fëmijë të vogël nga gazi.

Edhe Gjykata Kushtetuese nuk i shpëtoi thyerjes së xhamave dhe shkatërrimit.

Zjarri në një prej kullave binjake, që rrezikonte të ishte fatal, bëri që policia të mësymte edhe një herë

Teksa protestuesit ngjiteshin drejt qendrës, edhe Banka e Shqipërisë nuk i shpëtoi huliganizmit.

Bizneset private nuk janë sulmuar vetëm në kuadër të shkatërrimit, por është vënë re një tentativë edhe për të vjedhur, si në këtë rast kur pijet dhe ushqimet e marra nga një biznes i shkatërruar u shpërndahen protestuesve.

Dy makina të Bashkisë së Tiranës që pastrojnë rrugët u gjenden të shkrumbuara.

Të ndara në grupe të ndryshme më të vogla protestuesit u shpërndanë në thuajse çdo rrugë të kryeqyteti, duke vijuar shkatërrimin.

Të bulevardi Zogu i Parë u dogj Ministria e Drejtësisë.

Pranë 21 dhjetorit u pushtua Komisariati nr 2 i Policisë.

Kaosi vijoi për orët të tjera, ndërsa policia herë pas herë tentoi të bënte shoqërime.

Kur ora shënoi po shkonte rreth 22 dhe tashmë kishin kaluar 12 orë protestë, gjendja vetëm në bulevardin kryesor të Tiranës ishte si pas një lufte efekte gjendja në bulevard.

Advertisement