Aktualitet
Do bëjmë një seri sulmesh terroriste/ Kërcënohet me shpërthim bombe Kryesia e Kuvendit
Në adresën e Kryesisë së Kuvendit ka mbërritur një e-mail kërcënues për vendosjen e eksplozivit në këto ambiente.
Burime nga Kuvendi i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se janë njoftuar autoritetet përkatëse dhe pritet të mbërrijë njësia antieksploziv.
Gazetaret e Top Channel, Dorjana Bezat dhe Kristi Gongo, bëjnë me dije se në e-mail shkruhet: “Në institucionin tuaj, në pak minuta do të shpërthejë një bombë. Do jetë e tmerrshme ajo që do ndodhë”.
“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh, që mban simbole iraniane.
Kërcënimi me e-mail është bërë në rreth 140 adresash institucionesh në vend.
…..
Policia e shtetit ka reagua pas mesazheve kërcënuese, i dërguar në disa adresa institucionesh, i cili përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.
