✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Dy autobotë mbërrijnë në Rinas/ Opozita ngre pikëpyetje për përdorimin e tyre

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku shfaqen dy autobotë uji që, sipas tij, do të përdoren nga Policia e Shtetit gjatë protestave në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se po shton masat ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë kundër korrupsionit dhe padrejtësive. Sipas tij, qeveria po përgatitet të përdorë mjete shtesë për të frenuar tubimet, në vend që të marrë masa për të parandaluar dhunën.

Demokrati pretendon se ndërhyrjet policore janë drejtuar edhe ndaj të rinjve që qëndrojnë të ulur në hapësira publike apo lëvizin në lagje dhe rrugica. Ai e cilëson situatën si një përpjekje për instalimin e një “junte” dhe kërkon largimin e kryeministrit.

Në reagimin e tij, Këlliçi përdor tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, duke e akuzuar se po synon të ndalojë protestën dhe jo dhunën. Megjithatë, pretendimet e tij për qëllimin e autobotëve dhe përdorimin e tyre në protestë nuk konfirmohen në materialin e publikuar nga vetë demokrati.

Pamjet nga aeroporti publikohen në një moment kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe shoqërime nga policia.

Reagimi i Këlliçit

Edi Rama shton masat represive dhe mjetet ushtarake për të sulmuar studentët dhe të rinjtë që janë ngritur kundër korrupsionit dhe padrejtësive.

Në këtë video të regjistruar para 15 minutash në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, dallohen 2 makina uji që kanë mbërritur në shërbim të çmendurisë së Kryeministrit më të korruptuar në Europë, për të mbajtur me çdo kusht karrigen.

Është e qartë se Edi Rama ka kaluar në një plan të ri kriminal. Ai nuk po merr masa për të ndalur dhunën, po për të ndalur protestën.

Kjo u pa sot kur të rinjtë dhe studentët sulmohen edhe kur qëndrojnë të ulur në park apo përndiqen edhe në lagjet dhe rrugicat e tyre.

Ky është instalim junte. Por askush nuk tërhiqet. Shumica e shqiptarëve kërkon largimin e tij.

Advertisement