✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Ankaraja e akuzonte për lidhje me terrorizmin, Gjykata e Tiranës vendos ekstradimin e aktivistes Julide Yazici drejt Turqisë

Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes 32-vjeçare Julide Yazici, e arrestuar më 4 gusht në aeroportin e Rinasit, pasi rezultoi e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja. Vendimi është marrë pavarësisht kundërshtimeve të saj, pasi Yazici pretendon se përndiqet për arsye politike për shkak të qëndrimeve kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Vendimi nuk është ende i formës së prerë dhe mund të ankimohet në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Sipas autoriteteve turke, Yazici është dënuar me 4 vite e 2 muaj burg nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Stamboll, për veprat penale që lidhen me dhënien e ndihmës logjistike dhe pjesëmarrjen në një organizatë terroriste. Sipas të dhënave të çështjes, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.

Aktivistja, me profesion mësuese dhe e angazhuar në mbështetje të të drejtave të kurdëve, ka jetuar prej vitesh në Francë, ku në vitin 2020 i është njohur statusi i refugjates politike. Gjykata Kombëtare e Azilit në Francë kishte vlerësuar se ajo kishte frikë të justifikuar nga përndjekja në rast kthimi në Turqi, për shkak të aktivizmit të saj politik.

Sipas të afërmve të Yazicit, çështja ndaj saj lidhet me strehimin për një natë të një kundërshtari të qeverisë turke, me kërkesë të një mikeshe. Ajo ka marrë pjesë edhe në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve dhe kundër qeverisë së Erdoganit. Yazici ka deklaruar se ka vuajtur disa muaj burg në Turqi përpara se të largohej drejt Francës.

Gjatë shqyrtimit të çështjes në Shqipëri, 32-vjeçarja ka kundërshtuar ekstradimin, duke pretenduar se kthimi në Turqi do t’i rrezikonte jetën. Në seancën e 7 gushtit, ajo tha se nuk kishte dijeni për urdhrin ndërkombëtar të arrestit dhe se kishte udhëtuar edhe më parë drejt Shqipërisë pa hasur probleme.

Gjykata e Tiranës kishte vendosur fillimisht masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa mbrojtja kërkoi zëvendësimin e saj me arrest shtëpie. Më 21 gusht, Gjykata e Apelit la në fuqi masën e arrestit me burg, duke rrëzuar kërkesën e avokatit Artan Shllaku për një masë më të lehtë sigurie.

Me vendimin e ri për ekstradimin, çështja hyn në një fazë tjetër të procesit gjyqësor. Megjithatë, pretendimet e aktivistes për përndjekje politike dhe rrezik për jetën në rast kthimi mbeten pjesë thelbësore e çështjes, ndërsa vendimi mund të ankimohet deri në Gjykatën e Lartë.

Advertisement