Politike
PEDAGOGET/ BEJKO: PO TA DIJA SE PJESE E KESAJ DO ISHTE ARGITA DHE ABI, NUK DO FIRMOSJA
Analisti Roland Bejko ka komentuar listën e emrave të pedagogëve dhe profesorëve që kanë firmosur një nismë, duke deklaruar se nuk do ta kishte nënshkruar atë nëse do të kishte vënë re mes emrave edhe Argita Berishën dhe Abi Malltezin.
Bejko sqaroi se qëndrimi i tij nuk lidhet me ndonjë konflikt personal, por me bindjet e tij politike dhe kundërshtimin ndaj klasës së vjetër politike shqiptare.
“Kur më ka ardhur lista, kam qenë në aeroport. I hodha një sy shpejt dhe pashë emrat e pedagogëve. Të them të vërtetën, po të shikoja që ishte Argita Berisha dhe Abi Malltezi, nuk do të firmosja. Jo se kam gjë personale me ta, por e kam politike”, u shpreh Bejko.
Gjatë intervistës, analisti kritikoi gjithashtu gjendjen e politikës shqiptare, duke argumentuar se pas 35 vitesh vendi ka nevojë për një ndryshim të klasës drejtuese. Sipas tij, si Edi Rama, ashtu edhe Sali Berisha duhet të largohen nga skena politike, ndërsa përfaqësuesit e rinj duhet të dalin nga vota e qytetarëve.
“Si qytetar i angazhuar, mezi pres të dalë një fuqi që të largojë klasën e vjetër politike, sepse ka ndalur avancimin e Shqipërisë. Tridhjetë e pesë vite janë shumë, edhe për Berishën, edhe për Ramën. Dua të largohen dhe çdo lëvizje që ma plotëson këtë dëshirë është e mirëseardhur për mua”, deklaroi ai.
Bejko u ndal edhe te protestat e fundit dhe përshkallëzimi i tyre në akte dhune, duke bërë dallimin mes pakënaqësisë qytetare dhe dëmtimit të institucioneve apo pronës private.
Ai tha se e konsideron zemërimin e protestuesve si shprehje të frustrimit të krijuar në shoqëri, por theksoi se kundërshton dhunën dhe shkatërrimin, të cilat, sipas tij, mund ta çojnë vendin drejt një regresi të ri.
“Në momentin që shoh se ka dhunë, digjen institucione, prona private, deformohet shteti dhe kjo mund të na sjellë në një regres tjetër, këtu unë ndahem. Kam thënë se jam kundër dhunës, por e quaj edhe një frustracion këtë skenë”, u shpreh Bejko.
Në të njëjtën intervistë, analisti përshkroi edhe atë që e cilësoi si një formë të re autokracie, duke pretenduar se sistemi aktual ka kufizuar funksionimin e shoqërisë dhe ka krijuar vështirësi për qytetarët edhe në marrjen e shërbimeve bazë, kur u mungojnë njohjet personale.
Deklaratat e Bejkos vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku debati për përfaqësimin, protestat dhe rolin e klasës së vjetër politike është rikthyer në qendër të vëmendjes publike.