Bota
Sondazhi – Sa janë të gatshëm evropianët të bëjnë vaksinën?
EVROPA-Vala e dytë e pandemisë, i ka detyruar shumë vende të shtojnë masat parandaluese, por zhvillimi i vaksinave ka ngjallur shpresë për njerëzimin.
Sakaq, në muajin tetor është kryer sondazh, për të treguar gatishmërin e njerëzve në vende të ndryshme Evropiane në lidhje me bërjen e vaksinës. Sipas sondazhit, të kryer në tetor nga Euronews, vetëm rreth një e treta e francezëve kanë deklaruar se do të vaksinoheshin.
Ndërsa, në Britaninë e Madhe 63% e tyre pranuan të vaksinoheshin, ndjekur nga 57% e gjermanëve dhe 55% e italianëve. Ndërkohë, më shumë se 40% e spanjollëve do të preferonin të mos vaksinoheshin, sipas një sondazhi tjetër nga Qendra për Kërkime Sociale në Spanjë.
Kjo ngre një dilemë për qeveritë. Duke pasur parasysh faktin se efektiviteti i një vaksine varet nga një përqindje e lartë e njerëzve që e bëjnë atë, çfarë ndodh nëse një numër i madh i popullsisë refuzon të vaksinohet?
A ka mënyra për t’i bërë njerëzit që të bëjnë vaksinën?
Miquel Morales Sabalete, një partner në firmën ligjore AGM Abogados në Spanjë, ka thënë se është e mundur t’i detyrosh njerëzit të bëjnë vaksinën, edhe pse trajtimi ose ekzaminimi i detyrueshëm mjekësor mund të ndikojë te të drejtat themelore të përcaktuara në kushtetutën e vendit.
Sipas Euronews, vaksina mund të bëhet e detyrueshme sipas Ligjit Organik për Shëndetin Publik, që përcakton se autoritetet shëndetësore do të jenë në gjendje të miratojnë masa për ekzaminimin, trajtimin, shtrimin në spital ose kontrollin kur ka prova të ekzistencës së një rreziku për shëndetin e popullatës për shkak të gjendjes shëndetësore të një personi ose një grupi njerëzish, ose nga aktivitetet e kryera.
Që, nënkupton se nëse autoritetet shëndetësore thonë se pandemia e justifikon atë, nuk duket të ketë ndonjë pengesë ligjore për ta bërë vaksinën të detyrueshme.
Sakaq, Itali ende nuk ka vendosur nëse do ta bëjë vaksinën, kryeministri Guiseppe Conte ka thënë se thjesht do ti rekomandoj njerëzit ta bëjnë.
Gjithashtu, në Francë, presidenti Emmanuel Macron ka qenë i prerë se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme.
“Imuniteti duhet të arrihet në mënyrë të qartë dhe transparente, duke ndarë të gjithë informacionin në secilin hap çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë. Gjithashtu, dua të jem i qartë. Nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm,” -ka thënë ai.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, po ashtu ka deklaruar se vaksina mund të bëhet vullnetarisht.
“Askush nuk do të jetë i detyruar të bëjë vaksinën, është një vendim vullnetar,“-ka thënë ajo.
Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë më herët se megjithëse ai i nxit me forcë njerëzit të vaksinohen, nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm, pasi sipas tij kjo nuk është mënyra sesi i zgjidhin gjërat.
Një pyetje tjetër është, a mund t’i detyrojnë bizneset private njerëzit që të vaksinohen para se të përdorin shërbimet e tyre?
Mendohet se kompanitë private nuk do të kenë fuqi ligjore për ta bërë vaksinën e detyrueshme, por sektorë të veçantë mund ta aplikojnë këtë vendim, për shkak të rrezikut të transmetimit të virusit në grupe, si për shembull punonjësit e azileve.