Kosova
Admirali amerikan dërgon sinjal: Raketa për armiqtë e Kosovës
Mark Montgomery, drejtor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, admiral i forcave detare amerikane, në një intervistë për “Zëri i Amerikës” , deklaroi se aprovimi i kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin” është vendim i duhur i SHBA-së.
Montgomery, i cili shërbeu si drejtor i politikave në Komisionin e Senatit të SHBA-së për Forcat e Armatosura, theksoi se sistemi i sofistikuar anti-tank është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës, ndërsa mesazhi që përcillet me shitjen e këtij sistemi për Kosovën është edhe diplomatic, edhe politik – mesazh për çdo armik potencial.
“Ne duam t’i sigurojmë Kosovës pajisje të nevojshme për të krijuar stabilitet brenda kufijve të saj nga çfarëdo përdorim force nga jashtë. Sistemi ‘Javelin’ është një armë e përsosur, sepse është një armë fantastike mbrojtjeje për të frenuar një sulm të mundshëm me automjete të blinduara ndaj Kosovës”- potencoi Montgomery duke shtuar –
“Vlerësimi i SHBA-së është se Kosova duhet të pajiset me sistem armësh të avancuara. Kjo është armë që përdoret nga një ushtar i vetëm – ne nuk po u japim pajisje të shkallës së lartë të manovrimit ushtarak, por po u ofrojmë atë që u duhet. Dhe po i dërgojmë mesazh çdo armiku potencial: Kosova ka pajisjet që i duhen për të frenuar një sulm të mundshëm”.