Connect with us

Kosova

Admirali Giuseppe Cavo Dragone: NATO s’ka në plan të zvogëlojë trupat në Kosovë

Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe i rajonit është me rëndësi thelbësore për NATO-n, tha kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, duke vënë në dukje se nuk ka indikacione se mund të ketë një reduktim të trupave në Kosovë.
Admirali Dragone theksoi se NATO organizon rregullisht vizita në misionet, aktivitetet dhe operacionet e saj me qëllim që të njihen drejtpërdrejt me situatën në terren dhe të takohen me personelin ushtarak të angazhuar.
Ai u shpreh gjithashtu se një delegacion nga Komiteti Ushtarak i NATO-s vizitoi Kosovën me 32 gjeneralë dhe admiralë nga vendet anëtare të NATO-s.
Dragone kujtoi se roli i KFOR-it që nga fillimi ka qenë ruajtja dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe liria e lëvizjes.
Kur u pyet nëse NATO planifikon të zvogëlojë trupat në Kosovë, Admirali Dragone theksoi se nuk ka asnjë informacion të tillë, as ndonjë tregues se kjo do të ndodhë.
“NATO kryen rishikime dhe vlerësime periodike të të gjitha misioneve të saj, dhe bazuar në këtë, vendos se cila është zgjidhja më e mirë për përmbushjen e misionit, përfshirë numrin e personelit. Për shembull, nëse ju kujtohet, në fund të vitit 2023, në shtator ose rreth asaj kohe, patëm probleme mjaft serioze në veri, prandaj NATO vendosi të rrisë numrin e ushtarëve të KFOR-it me një mijë. Pra, ne thjesht po përshtatemi. Sa i përket përgjigjes së pyetjes suaj, nuk kam thashetheme apo indikacione se do të ketë një reduktim”, përfundoi ai.

Advertisement