Politike
Aeroporti i Vlorës/ Karakaçi: Kemi lëshuar gjobat e para për vonesat…
Për shkak të vonesave në përfundimin e Aeroportit të Vlorës, janë lëshuar edhe faturat e para të penalitetit, bëri me dije ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Ministri tha se kompanive iu është lënë një afat prej 30 ditësh të zgjidhin mosmarrëveshjet ose për t’u ulur në ndërmjetësim.
“Këta ortakë kanë ofertuar për të ndërtuar aeroportin e Vlorës. Ka një mosmarrëveshje, është bërë publike dhe mediatike, dhe ka dhënë edhe një lloj impakti sa i përket imazhit. E para, ministria ka qenë shumë e kujdesshme me komunikimet me operatorët.
Ne duam të zbatojmë kontratën. U kam dërguar shkresë dhe u kam kërkuar që mosmarrëveshjet nuk duhet të jenë shkak për bllokimin e aeroportit. U kam lënë afat 30-ditor të zgjidhin mosmarrëveshjen civile që kanë.
Nëse e kanë të nevojshme, edhe të ulemi dhe t’i ndihmojmë për të gjetur gjuhë të përbashkët. Aeroporti ka ecur me punime të avancuara, jemi në përfundim. Përfundimi i tij do bëhet në mënyrën sa më të shpejtë të mundshme, sipas afateve që vetë kompanitë kanë kërkuar për t’i vënë”.