Connect with us

Shkrime

Agresion në Kosovë/ Vuçiçit i hapet drita jeshile

Janusz Bugajski

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk mund ta fshehë mbështetjen e vet ndaj Rusisë perandorake. Takimi i tij me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski në Samitin Ballkanik të mbajtur në Greqi në gusht presupozohej të tregonte qëndrimin e paanshëm të Serbisë midis Rusisë dhe Ukrainës. Në të vërtetë, regjimi në Serbi i mbështet plotësisht qëllimet imperialiste të Moskës në Ukrainë dhe politikat e saj anti-amerikane (në nivel) botëror.

Beogradit i duhet që Rusia të jetë e fuqishme, me ndikim global dhe e aftë të sfidojë ndikimin amerikan si dhe të mbështesë aspiratat rajonale të Serbisë. Pjesa më e madhe e elitës politike dhe segmente të konsiderueshme të shoqërisë sebe ushqejnë ndjenja negative ndaj SHBA-së dhe NATO-s prej ndërhyrjes së saj ushtarake për Kosovës, në vitin 1999.

Për Vuçiçin dhe ithtarët e vet, ky veprim është i pafalshëm, pasi kjo pengoi zotërinë e tij, Millosheviç, të dëbonte tërësisht shumicën shqiptare të Kosovës.

Ndërsa Kosova u çlirua prej Serbisë nga NATO dhe fitoi pavarësinë e saj që të parandalohej gjenocidi, Rusia pushtoi territoret e Ukrainës me qëllim që të kryente gjenocid dhe të zhdukte identitetin ukrainas. Një krahasim më bindës Vuçiç mund ta bënte mes Serbisë dhe Rusisë.

Shtypja koloniale e Rusisë ndaj dhjetëra kombeve të nënshtruar është e ngjashme me shtypjen e shqiptarëve të Kosovës nga Beogradi dhe përpjekjet e tij për të kontrolluar Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Qeveria e Vuçiçit, në fakt, e ka forcuar lidhjen e saj me Kremlinin e Putinit pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Provat që tregojnë pro-imperializmin e Vuçiçit janë shterruese.

Qendra e përbashkët e spiunazhit në Serbinë jugore, e krijuar si një qendër “humanitare”, i siguron Kremlinit informacione të inteligjencës për forcat e NATO-s dhe SHBA-së në rajon, ndihmon në trajnimin e agjentëve dhe sabotuesve, përgatitet për destabilizim më të gjerë rajonal, si dhe thellon varësinë e Serbisë nga Rusia.

Zbulimet e fundit tregojnë se agjencitë qeveritare serbe po rekrutojnë luftëtarë që të luftojnë kundër Ukrainës. Sipas burimeve të inteligjencës franceze, Moska, është duke rekrutuar një grup prej 500 mercenarësh serbë, të cilët do të jene pjesë e Divizionit të 106-të të Gardës Ajrore të Rusisë.

Zyrtarët amerikanë, me naivitet, vazhdojnë të marrin me të mirë administratën e Vuçiçit, e cila pretendon se shteti i pavarur i Kosovës është territori i vet perandorak, ashtu si Rusia pretendon se Ukraina është trashëgimia e saj historike dhe kulturore.

Një qasje e tillë dritëshkurtër nga amerikanët nuk e largon Serbinë nga Rusia, por thjesht e inkurajon Beogradin që të kërcënojë fqinjët e vet.

Javët e fundit, qeveritë e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë shprehur shqetësimin e tyre pasi ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, i cili është gjithashtu kreu i Partisë Progresive Serbe në pushtet, pohoi se njohja e Kosovës nga ana e tyre do të vijë dita që do t’i lëndojë vetë ata, ashtu si ndodhi me Ukrainën.

Nëse kërcënime të kësaj natyre nuk dënohen nga Uashingtoni dhe Brukseli me kërkesën që fajtori të largohet nga detyra, atëherë Vuçiç do të arrijë në përfundimin se kjo është një tjetër dritë jeshile për agresion.

 

 

Advertisement