Aktualitet
Aksidenti që i mori jetën dy të miturve/ Banorët e Durrësit në protestë, kërkojnë siguri për fëmijët e tyre
Dhjetëra qytetarë morën pjesë pasditen e sotme në një marshim protestë në rrugët e Durrësit, pas aksidentit tragjik që u mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër të mitur.
Marshimi nisi nga Spitalla, aty ku ndodhi tragjedia, pati dy ndalesa kryesore, Drejtorinë e Policisë Durrës dhe Bashkinë e Durrësit.
Me pankarta në duar dhe fotografitë e fëmijëve që humbën jetën, qytetarët kanë marshuar nga Drejtoria e Policisë në drejtim të Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar më shumë siguri dhe kontrolle nga ana e Policisë në rrugët e zonave të banuara për të parandaluar aksidente tragjike që përditë marrin jetë të pafajshme.
Jo vetëm institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, por protesta e tyre iu adresua edhe drejtuesve të automjeteve, që të jenë më të përgjegjshëm e të kujdesshëm teksa qarkullojnë në rrugë dhe lagjet e qytetit.
Ata ndezën qirinj, lëshuan balona të bardha dhe dhanë mesazhe, në kujtim të të miturve që humbën jetën në aksidentin tragjik të tri ditëve më parë.
Drejtuesi i automjetit që u mori jetën 2 të miturve, Nikoll Radaçi, po e drejtonte makinën nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, ndërsa banorët e kishin denoncuar disa herë në polici për rrezikun që u kanosej nga sjellja e tij në rrugë.
“Kombi shqiptar e ka vlerësuar këtë tragjedi, por duhet ta vlerësojë shteti. Duke i mbrojtur ata keqbërësit pijaneca, detyrimisht ka faj edhe shteti për ligjet që nuk i kanë vendosur si duhet. Bëjnë ligje vetëm për të mbrojtur pushtetin e tyre. I bëj thirrje Kryeministrit të zbatojë ato pak ligje që ka dhe t’i zbatojë në shërbim të popullit. Edhe kryetares së bashkisë do t’i bëj një thirrje. E ka lënë zonën e këngës, ka bërë rrugë, por nuk ka bërë lulishte apo park për të luajtur fëmijët. Kalamani ngelet kalama, do dalë në rrugë, nga shtëpia. Ka vetëm një park te lagjja 18, por ajo nuk është aq e mjaftueshme për t’i përballuar. Duhen vende për të luajtur.
Policia mos t’i shohë ata, i marrin i fusin brenda dhe pastaj i lëshojnë për dy ditë. Këta marrin ryshfete. Po ta kishte mbajtur policia këtë që ka bërë këtë tragjedi, nuk ishte bërë kjo tragjedi. Edhe populli dhe banorët kanë bërë disa herë kërkesa në polici. Ai e ka quajtur veten si “Bisha e rrugës”. Shteti është fajtor për këtë. Policia duhet të sensibilizohet. Që të punojë, deri te ankesat që t’i shohë dhe t’i zbatojë. Gjykata, prokuroria duhet t’i shohin mirë gjërat. Kjo ishte kërkesa ime, e banorëve dhe familjarëve”, u shpreh një protestuesit, i afërm me një nga viktimat.