Aktualitet
AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes nga email-et dhe SMS-të në emër të bankave dhe Postës Shqiptare
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët, në të cilën ka këkruar që ata të tregohen vigjilentë ndaj mesazheve dhe email-eve mashtruese që përdorin emrin dhe identitetin vizual të bankave, Postës Shqiptare apo institucioneve të tjera.
Në njoftimin e tyre thuhet se këto mesazhe synojnë të vjedhin të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve përmes mashtrimeve të njohura si “phishing”. Në mesazhet e dërguara ndaj qytetarëve thuhet se ai/ajo ka një pako që kërkon pagesë ose konfirmim të adresës, se llogaria bankare është bllokuar. Sipas kësaj ai duhet të veprojë menjëherë për të shmangur pezullimin e një shërbimi.
Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqe të dyshimta dhe të mos ndajnë asnjëherë fjalëkalime, kode verifikimi (OTP), PIN-e apo të dhëna të kartave bankare.
“Një klikim i nxituar mund të mjaftojë për të komprometuar të dhënat tuaja. Qëndroni vigjilentë dhe verifikoni gjithmonë përpara se të veproni”, thekson AKSK në njoftimin e saj.
AKSK këshillon që çdo njoftim të verifikohet vetëm përmes faqeve dhe kanaleve zyrtare të bankës ose institucionit përkatës. Ajo bën thirrje që rastet e dyshimta të raportohen pranë autoriteteve kompetente dhe institucionit që po imitohet