Politike
Akuza për takimin në Aruba/ Gjiknuri sfidon publikisht avokatin: Do shihemi në gjyq, shpifës…
Politikani socialist Damian Gjiknuri ka reaguar për herë të parë publikisht, për pretendimet dhe deklaratat e personazheve të ndryshëm në media, se ai ka qenë një nga dy zyrtarët e qeverisë që ka marrë pjesë në takimin me trafikantët në Aruba.
Ai deklaron me përgjegjësi të plotë, se nuk ka qenë asnjë në Aruba dhe nuk ka takuar asnjëherë e askund personat për të cilët aludohet, duke e cilësuar avokatin Arben Llangozi, personi që përmendi emrin e tij, si një shpifës.
“Në respekt ndaj opinionit publik, i cili helmohet nga deklarata të tilla shpifëse, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludon ky shpifës.
Për shkak të funksioneve që kam ushtruar në jetën publike dhe akuzave të vazhdueshme të ngritura ndaj meje, emri im i është nënshtruar verifikimeve më të imtësishme nga organet e posaçme të drejtësisë”, shkruan ai.
Zyrtari i lartë i Partisë Socialiste thekson se të gjitha këto procese kanë konfirmuar pastërtinë e figurës së tij, ndërsa shpifësit janë detyruar të gëlltisin mbrapsht të pavërtetat e tyre.
“E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit. Ndërkohë, kam autorizuar avokatin tim të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e padisë për shpifje ndaj Arben Llangozit”, vijon reagimi.
Damian Gjiknuri zbulon se se ka pasur edhe procese më përpara kundër avokatit Arben Llangozi, por ky i fundit është tërhequr nga rekursi në gjykatë dhe ka pranuar dënimin për shpifje.
“Megjithatë, në rolin e një shpifësi ordiner me pagesë, ky person vazhdon edhe sot të përsërisë publikisht të njëjtat pretendime. Gjatë gjithë karrierës sime, si në sektorin privat ashtu edhe në jetën publike, kam refuzuar kategorikisht t’u nënshtrohem këtij lloji gjobëvënësish publikë, që paguhen për të sharë dhe shajnë për t’u paguar”, shkruan politikani socialist.
Reagimi i plotë i politikanit socialist Damian Gjiknuri:
Kam qenë gjithmonë i bindur se nuk ia vlen të humbet kohë duke iu përgjigjur çdo shpifësi ordiner që hedh baltë mbi emrin tim. Edhe ndaj deklaratave publike të shtetasit Arben Llangozi, i cili prezantohet si avokat, zgjodha të mos reagoj disa ditë më parë, duke besuar se ai do ta kuptonte shumë shpejt se kishte ngatërruar shënjestrën.
Pa e fshehur ama habinë time se si mediat riprodhojnë deklarata pa asnjë fakt nga një person i njohur publikisht dhe dënuar me vendim gjykate si mashtrues profesionist. Mashtrues që ka tërhequr dhe rekursin e tij në gjykatë duke pranuar dënimin.
Megjithatë, në rolin e një shpifësi ordiner me pagesë, ky person vazhdon edhe sot të përsërisë publikisht të njëjtat pretendime. Gjatë gjithë karrierës sime, si në sektorin privat ashtu edhe në jetën publike, kam refuzuar kategorikisht t’u nënshtrohem këtij lloji gjobëvënësish publikë, që paguhen për të sharë dhe shajnë për t’u paguar.
Në respekt ndaj opinionit publik, i cili helmohet nga deklarata të tilla shpifëse, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludon ky shpifës.
Për shkak të funksioneve që kam ushtruar në jetën publike dhe akuzave të vazhdueshme të ngritura ndaj meje, emri im i është nënshtruar verifikimeve më të imtësishme nga organet e posaçme të drejtësisë. Të gjitha këto procese kanë konfirmuar pastërtinë e figurës sime, ndërsa shpifësit janë detyruar të gëlltisin mbrapsht të pavërtetat e tyre.
E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit.
Ndërkohë, kam autorizuar avokatin tim të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e padisë për shpifje ndaj Arben Llangozit.