✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Alarm i kuq/ Putin teston Europën në portat e saj, Trump lëkund Aleancën

Europa ndodhet mes provokimeve të Rusisë dhe pasigurisë që vjen nga politika e Donald Trump ndaj aleatëve. Kështu shkruan gazetari dhe analisti italian Federico Rampini, në një analizë të publikuar nga Corriere della Sera.

Rampini ngre pyetjen nëse përshkallëzimi i incidenteve, sabotimeve dhe sulmeve me dronë në vendet europiane është një përpjekje e Vladimir Putinit për të testuar mbrojtjen dhe kohezionin e Europës, apo sinjal i një strategjie më agresive të Moskës.

Sipas tij, shqetësimi është rritur veçanërisht në Gjermani, Poloni, vendet baltike dhe ato nordike, ku kërcënimi rus perceptohet si më i drejtpërdrejtë.

Por, paralelisht me kërcënimin rus, Europa përballet me një tjetër pasiguri: raportet me administratën Trump dhe të ardhmen e angazhimit amerikan në NATO.

Rampini argumenton se ideja e një mbrojtjeje të përbashkët europiane mbetet ende larg realitetit. Sipas tij, industria ushtarake europiane është e fragmentuar, sistemet e armëve nuk janë gjithmonë të integruara dhe në fusha si mbrojtja ajrore, inteligjenca dhe teknologjitë satelitore Europa vazhdon të ketë vonesa të konsiderueshme.

Në këtë situatë, autori vë në dukje edhe një problem tjetër: mungesën e një perceptimi të njëjtë të rrezikut brenda shoqërive europiane.

Sipas Rampinit, vendet nordike dhe ato të Europës Lindore janë më të ndërgjegjësuara për kërcënimin rus, ndërsa në vende si Italia një pjesë e qytetarëve kanë njohuri të kufizuara për rolin e NATO-s.

Analisti paralajmëron gjithashtu për përhapjen e narrativave pro-ruse në skaje të ndryshme politike, ku rusofilia, sipas tij, shpesh paraqitet si neutralitet apo pacifizëm.

Por cila është përgjigjja ndaj Putinit?

Rampini i rikthehet historisë së Luftës së Ftohtë dhe argumenton se prania amerikane në Europë dhe garancia e NATO-s shërbyen si faktorë frenues ndaj zgjerimit sovjetik drejt Europës Perëndimore.

Pikërisht për këtë arsye, ai arrin në përfundimin se Aleanca Atlantike duhet të ruhet, pasi Europa nuk mund të ndërtojë brenda një kohe të shkurtër një mekanizëm mbrojtës të krahasueshëm me atë amerikan.

Në analizën e tij, Rampini vëren gjithashtu se edhe brenda Shteteve të Bashkuara ekzistojnë interesa të forta politike, ushtarake dhe ekonomike që mbështesin vazhdimin e lidhjeve transatlantike.

Në fund, autori sjell në vëmendje një episod nga Lufta e Ftohtë dhe një shprehje të Winston Churchill për aleatët amerikanë: “Gjithmonë mund të mbështeteni te amerikanët se do të bëjnë gjënë e duhur, pasi të kenë provuar të gjitha mundësitë e tjera.”

Mes kërcënimit rus dhe pasigurisë amerikane, për Rampinin sfida kryesore e Europës mbetet e njëjtë: të forcojë mbrojtjen e saj, pa humbur lidhjen strategjike me Shtetet e Bashkuara.

Advertisement