Aktualitet
Alarm për zjarret, IGJEO: Rrezik i lartë në pjesën më të madhe të Shqipërisë
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar për rrezik të lartë të përhapjes së zjarreve në pyje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, veçanërisht në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit, rreziku klasifikohet si “i lartë” në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Kukës, Dibër dhe Vlorë niveli i rrezikut pritet të jetë përgjithësisht “i moderuar”, megjithatë në disa zona të lokalizuara ai mund të arrijë nivelin e lartë. Konkretisht, IGJEO veçon zonën qendrore të Kukësit, jugperëndimin e Dibrës dhe verilindjen e Vlorës.
Sipas institutit, rreziku pritet të jetë edhe më i lartë gjatë ditës së mërkurë, 12 gusht.
Kushtet atmosferike pritet ta favorizojnë përhapjen e vatrave të zjarrit. Për pasditen e sotme dhe ditën e nesërme nuk parashikohen reshje, ndërsa temperaturat do të vijojnë të jenë të larta.
Maksimumet pritet të arrijnë deri në 40°C në zonat bregdetare, 41°C në zonat e ulëta dhe 35°C në zonat malore.
Era do të jetë kryesisht e lehtë deri mesatare, por në bregdet dhe në zonat malore mund të forcohet përkohësisht.
Në këto kushte, me temperatura të larta, mungesë reshjesh dhe rrezik të shtuar për përhapjen e zjarreve, IGJEO u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë, sidomos në zonat pyjore dhe në territoret e klasifikuara me rrezik të lartë.