Connect with us

Politike

“Algoritmet po ushqejnë frikën, urrejtjen dhe zemërimin”

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook një video të historianit dhe filozofit Yuval Noah Harari, në të cilën ai flet për ndikimin e algoritmeve të mediave sociale në sjelljen e njerëzve dhe mënyrën se si platformat online nxisin angazhimin e përdoruesve.

Rama e ka shoqëruar videon me një mesazh të shkurtër: “SHKURT E QARTË PËR ALGORITMIN nga Yuval Noah Harari, një nga mendjet më largapamëse të botës së sotme”.

Në videon e shpërndarë nga kryeministri, Harari argumenton se algoritmet e platformave si Facebook, X dhe TikTok janë ndërtuar kryesisht për të rritur angazhimin e përdoruesve dhe jo domosdoshmërisht për të krijuar besim apo për të promovuar të vërtetën.

Sipas tij, eksperimentet e vazhdueshme të algoritmeve kanë treguar se mënyra më e lehtë për të mbajtur njerëzit të angazhuar është duke aktivizuar emocionet më të forta njerëzore, si frika, urrejtja, zemërimi dhe lakmia.

Harari e lidh këtë situatë edhe me gjendjen emocionale të shoqërisë, duke paralajmëruar se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtij niveli të lartë stimulimi mund të ketë pasoja të dëmshme.

Më poshtë është deklarata e plotë e Hararit, e cila shoqëron videon e publikuar nga Rama:

“Algoritmet e mediave sociale u dhanë si qëllim jo krijimin e besimit, jo krijimin e së vërtetës, por krijimin e angazhimit. Qëllimi që iu dha algoritmit të Facebook-ut, algoritmit të X-it, algoritmit të TikTok-ut, është: rritni angazhimin e përdoruesve.

Kjo tingëllon bukur. “Angazhim”, tingëllon si diçka e mirë. Por ajo që në të vërtetë do të thotë është se algoritmet eksperimentuan me miliona e miliarda “guinea pigs” njerëzorë për të zbuluar: si t’i bëjmë njerëzit më të angazhuar? Si t’i bëjmë njerëzit të qëndrojnë më gjatë në platformë dhe të reagojnë më shumë ndaj saj, për shembull, duke shpërndarë postimin me miqtë e tyre?

Dhe ata zbuluan se mënyra më e lehtë për t’i bërë njerëzit të angazhohen është të shtypësh butonin e urrejtjes, ose butonin e lakmisë, ose butonin e frikës në mendjen e tyre, në mendjen njerëzore.

Sepse urrejtja është shumë angazhuese. Frika është shumë angazhuese. Nëse diçka kërcënon jetën tënde, ti angazhohesh. Dhe ata e kanë përmbytur botën me urrejtje, frikë, zemërim, lakmi e kështu me radhë. Dhe tani po jetojmë në një botë hiper-angazhuese.

E dini, “engagement” është një kushëri shumë i afërt i një fjale tjetër, e cila tani është shumë dominuese në gjuhën tonë: eksitim. Eksitimi thjesht do të thotë që sistemi yt nervor është, si të thuash, duke punuar në një nivel hiperaktiv.

Dhe eksitimi është i mirë në disa situata, deri në një masë, ashtu siç edhe angazhimi është i mirë në disa situata. Por, në fund të fundit, biologjikisht, nëse e mban një organizëm në gjendje eksitimi gjatë gjithë kohës, organizmi përfundimisht shembet dhe vdes.

Ne thjesht nuk jemi të ndërtuar për të qenë të eksituar gjatë gjithë kohës. Dhe në shumë raste, e dini, kur takoj njerëz, unë do të doja të takoja njerëz që më bëjnë të ndihem i qetë, jo domosdoshmërisht të eksituar.

Është kaq qetësuese të të takoj. Dhe kur shikon politikën amerikane, apo politikën izraelite, apo politikën botërore, mendoj se e gjithë bota është tepër e eksituar”.

Advertisement