Connect with us

Rajon

Analiza e REL: Qeveria e re e Serbisë me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës

Me zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë nuk do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, sepse ajo udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe jo nga kryeministri apo ministrat, thonë për Radion Evropa e Lirë analistët e çështjeve politike nga Kosova dhe Serbia, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiç.

“Ekziston vetëm një busull që e orienton dinamikën e jetës politike dhe institucionale të Serbisë – quhet Aleksandar Vuçiç. Të gjithë të tjerët afër tij janë shtesa që kanë përfitime të ndryshme nga të qenët kukulla politike”, thotë Muhaxhiri.

Ai thekson se “fuqinë e vërtetë për të marrë vendime të rëndësishme, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Kosovën, e ka Vuçiç”.

Për Gogiçin, Qeveria e Serbisë është më shumë “një shërbim që i dorëzon raporte presidentit të Serbisë”.

“Politika [ndaj Kosovës] do të vazhdojë të përcaktohet nga presidenti, varësisht rrethanave të ndryshme”, vlerëson ai.

Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviç, i cili është kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Gjatë paraqitjes së ekspozesë më 1 maj, Vuçeviç tha se Serbia do të bëjë gjithçka të mundur për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Serbia, deri më tani, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndonëse me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, është zotuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008, por, përmes marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndër vite, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i ka njohur targat, dokumentet e diplomat e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës nuk ka reagime

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se si e komenton përbërjen e re të Qeverisë së Serbisë dhe cilat janë pritjet e saj për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, por nuk mori përgjigje.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht e akuzojnë Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut, se punon për destabilizimin e situatës në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për “presion” dhe “shantazh” ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës e akuzojnë, gjithashtu, Serbinë se qëndron pas sulmit të armatosur në Banjskë, që ndodhi shtatorin e kaluar – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

Në atë sulm u vra një polic i Kosovës, ndërsa përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të Kosovës shpesh mund të dëgjohen akuza edhe kundër kësaj partie, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ka, po ashtu, akuza për bashkëpunim të ngushtë mes Beogradit dhe Moskës.

Në përbërjen e re, Qeveria e Serbisë i ka dy persona, të cilët janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesisht për shkak të lidhjeve me Rusinë: Aleksandar Vulinin si zëvendëskryeministër dhe Nenad Popoviçin si ministër pa portofol.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është “i zhgënjyer” me propozimet e Vulinit dhe Popoviçit dhe se të dy ata do të mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur”.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se Beogradi, me përfshirjen e Vulinit dhe të Popoviçit në Qeverinë e re, është kujdesur për t’i mirëmbajtur marrëdhëniet me Moskën.

“Prej kohësh, anëtarësimi në BE është më shumë një mjet për konsolidimin dhe mbajtjen e Vuçiçit në pushtet dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Serbisë, pa orientime të qarta ideologjike, sesa një synim serioz i Aleksandar Vuçiçit”, thotë Weber.

Vulin dhe Popoviç si “maska” për kompromise për Kosovën

Muhaxhiri beson se Vulin dhe Popoviç e gjetën veten në Qeverinë e re të Serbisë, sepse Vuçiç do që të tregojë se e ka fuqinë për ta kundërshtuar shtetin më të fuqishëm në botë.

“… dhe për të treguar se ai ka autoritet për të vendosur vetë në Serbi. Ai do t’i shfrytëzojë këta dy ministra si eksponentët e tij më agresivë, do të krijojë mjegull në jetën mediatike dhe publike, për t’i balancuar kompromiset e tij të mundshme që i kërkohen në kuadër të dialogut [me Kosovën]”, thotë Muhaxhiri.

Pas reagimit të Departamentit amerikan të Shtetit, Vuçiç tha se “nuk është i lumtur” për këtë, por se shpreson në marrëdhënie të mira me “partnerët tanë amerikanë”.

Gjuriq si “urë” mes Serbisë dhe SHBA-së

Ministër i ri i Punëve të Jashtme të Serbisë është Marko Gjuriç, deri para pak kohësh ambasador në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën.

Gogiç beson se roli i tij do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-në, pra “fitimi” i mbështetjes së saj për disa qëndrime të Serbisë, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Kjo më shumë do të varet prej asaj se kush do të jetë në pushtet në SHBA pas zgjedhjeve të nëntorit. Prej kësaj varet se cili do të jetë qëndrimi i tyre afatgjatë ndaj Kosovës dhe dialogut. Por, mendoj se është naive nga ana e Serbisë të mendojë se mund ta ndikojë në ndonjë mënyrë politikën e Shtëpisë së Bardhë. SHBA-ja është sponsorizuesja më e madhe e pavarësisë së Kosovës”, thotë Gogiç.

Megjithatë, ai kujton se SHBA-ja, së voni, ka qenë mjaft kritike ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të disa vendimeve që i ka marrë ai.

Qëndrimi ndaj dialogut

Weber beson se Marrëveshja e Ohrit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është bazuar në “politikën e dështuar të zbutjes ndaj Vuçiçit”.

“Ajo ka dështuar me një përshkallëzim të paprecedentë [të situatës] në veri të Kosovës, të cilin kryeqytetet perëndimore nuk janë ende gati ta pranojnë. Beogradi nuk do të sanksionohet kurrë për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të regjimit për sulmin terrorist në Banjskë”, thotë Weber.

Muhaxhiri thekson se qëndrimi i Serbisë ndaj dialogut varet edhe nga presidenti Vuçiç, nga idetë dhe vendimet e tij.

“Sikurse deri më tash, përparimi ose bllokimi do të lidhet kryesisht me nivelin e presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia, për më shumë se një dekadë, zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren./ Marrë nga REL.

Rajon

Taravari: Shqiptarët do të kenë kryeparlamentarin e gjashtë ministri

Në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët do të udhëheqin me gjashtë ministri dhe me kryetarin e Kuvendit, bëri të ditur ekskluzivisht për Radio Televizionin e Kosovës, Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

“Besoj që njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetari i parlamentit do të vazhdoj të jetë shqiptar dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspert ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim. Besoj se përfaqësimi aty do jetë i dinjitoz, me njerëz profesionist”, tha ai.

Taravari tha se konstituimi i Kuvendit do të bëhet në fund të këtij muaji, kurse Qeveria e re pritet të votohet në pjesën e parë të muajt qershor.

“Konstituimi i Kuvendit është planifikuar të bëhet diku ka fundi i këtij muaji, muajit maj, dhe ne ndërkohë ka fundi i javës së ardhshme do t’i kemi edhe zgjedhjet kadrovike dhe programin qeveritar. Pasi të konstituohet Parlamenti duhet që presidentja e shtetit t’i jep mandatin mandatarit të ardhshëm. Në gjysmën e parë të qershorit sigurisht do ta kemi Qeverinë e re”, tha ai.

Partnerët e koalicionit ,sipas Taravarit, janë pajtu që prioritet i Qeverisë së re të jetë rruga drejt Bashkimit Evropian, lufta pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.

Continue Reading

Rajon

Kreta “pushtohet” nga pluhuri i Saharasë

Kreta është “pushtuar” nga pluhuri afrikan. Drejtoria e Shëndetit Publik të Qarkut të Kretës u ka bërë të ditura qytetarëve masat që duhet marrin për t’u përballur me pluhurin e Saharasë.

Mediat në vend raportojnë se përqendrimet e regjistruara deri më tani të grimcave në ajër janë shtuar.

Universiteti i Kretës dhe Universiteti Teknik i Kretës informojnë se sipas modeleve parashikuese “përqendrimet mesatare ditore të PM10 për ditën e sotme të shtunën dhe të dielën 19.05.2024 do të luhaten në nivele mesatare. (51- 75 µg/m3) për shkak të fenomenit intensiv të transportit të pluhurit nga Saharaja.”

Për këtë arsye, të rriturve me probleme me frymëmarrjen, atyre me sëmundje të zemrës dhe fëmijëve me probleme me frymëmarrjen, u rekomandohet që të kufizojnë çdo ushtrim fizik intensiv, veçanërisht nëse bëhet jashtë.

Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar që të mbajnë maskat me mbrojtje të lartë FFP2, N95 & KN95, duke qenë se ato mund të mbrojnë qytetarët që janë aktivë në natyrë. Përveç kësaj, rekomandohet po ashtu marrja e masave për të përmirësuar cilësinë e ajrit të brendshëm.

Continue Reading

Rajon

Përplasja me RMV, Mitsotakis mesazh paralajmërues: Qeveria e Shkupit duhet të përdorë vetëm emrin Maqedonia e Veriut

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për një emision grek në ERT, tre javë para zgjedhjeve europiane të 9 qershorit.

Kryeministri i dërgoi një mesazh paralajmërues qeverisë së re, për çështjen e Maqedonisë së Veriut.

“Dua t’i dërgoj edhe një herë një mesazh paralajmërues qeverisë së re: të ndryshojë linjën që tani e tutje, të respektojë këtë dispozitë qendrore të Marrëveshjes së Prespës, të përdorë vetëm emrin Maqedonia e Veriut brenda dhe jashtë vendit, kur i referohen fqinjit tonë verior”, tha Mitsotakis.

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev gjithashtu komentoi situatën, duke thënë se shpreson që politikanët në Maqedoninë e Veriut të kenë kuptuar se fushata zgjedhore ka përfunduar.

“Shpresoj që politikanët në Maqedoninë e Veriut ta kenë kuptuar se fushata zgjedhore ka përfunduar. Dhe nëse bisedat dhe sjellja e tyre destruktive shndërrohen në veprime reale, kjo do të thotë qe po e shtyjnë vendin e tyre drejt izolimit, duke e larguar atë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Continue Reading

Rajon

Vuçiç shtrëngohet me Dodikun në pritje të 8 qershorit

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, eshte takuar në Beograd me presidentin e RS, Milorad Dodik dhe tema kryesore e bisedës, sipas Vucic,  ishin marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Serbisë dhe RS-së dhe reagimi i mbarë popullit serb për votimin e rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

“E informova Presidentin Dodik për përpjekjet që po bën Serbia për të mbrojtur interesat jetike kombëtare të popullit serb, si dhe të drejtën publike ndërkombëtare, duke përsëritur edhe një herë se miratimi i një rezolute të tillë do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës për e ardhmja duke hapur plagë të panumërta nga e kaluara”, ka shkruar  Vuçic në llogarinë e tij në Instagram.

Në të njëjtën kohë, sipas fjaleve te presidentit serb, “temë e veçantë diskutimi ishte Kuvendi i ardhshëm i Popullit Serb i planifikuar për 8 qershor në Beograd, për të cilin aktivitete të shumta të përbashkëta, nënshkrimi i memorandumeve dhe marrëveshjeve, si dhe ngjarjet që do të konfirmojnë unitetin e popullit dhe të drejtën e tij për të ruajtur vatrat e tyre, të jenë të tyret, janë rënë dakord dhe mbrojnë të drejtën për të ardhmen e brezave që do të vijnë”.

Continue Reading

Rajon

Tjetër tragjedi në Greqi/ Momenti kur makina përplas për vdekje 22-vjeçarin, koka i fluturon dhe…

Një tragjedi tjetër ka ndodhur në Athinë, në zonën Nea Erythraira, ku mbeti i vdekur një 22-vjeçar shqiptar i cili po udhëtonte me një motoçikletë në momentin që u përplas nga një makinë.

Aksidenti ka ndodhur pak pas mesnatës së të enjtes kur makina, duke lëvizur në drejtim të Politia, ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me një automjet që kalonte në të njëjtën korsi trafiku.

Në videon e publikuar nga mediat greke, shihet momenti i përplasjes, ku 22-vjeçari fluturon disa metra dhe përplaset në një trotuar, aty ku gjeti dhe vdekjen

Sipas dëshmitarëve okularë, i ndjeri  Angjelo Saliu, ka rënë me kokë në bordurë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING