Kosova
Aneksi ‘që djeg’ marrëveshjen Kosovë-Serbi
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian në Bruksel, të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.
Marrëveshja – për të cilën janë bërë përgatitje prej vjeshtës së vitit 2022, mbulon shumë aspekte në marrëdhëniet mes dy vendeve – nuk është nënshkruar ende, mirëpo është publikuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.
Një zyrtar i lartë i BE-së, i afërt me këto zhvillime, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tekstit i mungon validiteti pa një aneks, të cilin pritet ta përgatisin palët para takimit të tyre të ardhshëm, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.
Ky fakt e bën pikën e 11-të të marrëveshjes, e cila thekson se “të dyja palët duhet të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, pjesën më të rëndësishme.
Plani për këtë udhërrëfyes, i cili përfshin kohën e zbatimit të marrëveshjes, ekziston, por ka ende punë për t’u bërë.
Marrëveshja në thelb është një shtesë e marrëveshjes së arritur më 2013 në Bruksel, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila ka paraparë normalizimin e marrëdhënieve.