Kronike
Apeli vulos 28 vite burg për “boksierin”/ Selmani dënohet për vrasjen e Santiago Malkos
Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur këtë të premte të lërë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i njohur dhe me nofkën “boksieri”, anëtar i klanit “Duka” i shpallur fajtor për përfshirjen në ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko. Ky i fundit cilësohej edhe si krahu i djathtë i biznesmenit të zhdukur të basteve, Ervis Martinaj.
Çështja ndaj Ilir Selmanit ishte kthyer më herët për rigjykim në Apelin e GJKKO-së, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëroi rishqyrtimin e procesit. Megjithatë, pas shqyrtimit të çështjes, Apeli vendosi të lërë në fuqi dënimin e dhënë më parë.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të premte, Ilir Selmani nuk ishte i pranishëm fizikisht, ndërsa prej disa javësh ishte në masë sigurie “Arrest në shtëpi”, në pritje të vendimit të formës së prerë. Ai tani pritet të transferohet në një burg të sigurisë së lartë.
Debati në gjyq me prokurorin Behar Diba, 21 Shkurt 2024
Ilir Selmani ka këmbëngulur në vazhdimësi se ai nuk ka asnjë lidhje me ekzekutimin e ish-policit dhe mikut të biznesmenit Ervis Martinaj, duke akuzuar oficerët se kanë manipuluar provat, kurse prokurorin, se është bazuar vetëm në deklarimet e shtetasit Blendi Teta, i cili ka qenë mik i tiji.
Ilir Selmani: Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qira. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoj Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka, por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes shikoi që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos (I drejtohet prokurorit) Çdo provë është e manipuluar nga dy oficerë policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam materiale dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet.
Prokurori Behar Dibra: Shumë mirë, të inkurajojmë ta denoncosh rastin.
Ilir Selmani: Blendi Tetën e kanë marrë peng dhe e kanë dhunuar. Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët lotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukajve e Martinajt ishte se ky i fundit donte t’i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshëm unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara.
183 vite burg për vrasjen që tronditi “Kinostudion”, “Duka” e donte të vdekur Santiago Malkon
Ekzekutimi i ish-policit Santiago Malko është mbyllur me 183 vite burg në total. Shtatë vite nga vrasja që tronditi zonën e “Kinostudios”, më 21 Janar 2026, Gjykata e Posaçme ka mundur të japë drejtësi dhe ka shpallur fajtorë shtatë anëtarët e klanit “Duka”.
Krahu i djathtë dhe një nga miqtë e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, kërkohej të eleminohej me çdo kusht nga grupi i drejtuar nga Leonard Duka, pasi i kishte marrë peng babain dhe e kishte poshtëruar. Dhe ashtu ndodhi.
Mbrëmjen e 27 gushtit 2019, nga një mjet i cili lëvizte paralel me makinën BMË X5 që drejtohej nga Santiago Malko, u hap zjarr me breshëri dhe për disa metra, rruga u mbush me plumba, kurse lagja u trondit nga ashpërsia e madhe e goditjes kriminale.
Grupi i Ervis Martinaj e dinte këtë. Edhe vetë Santiago Malkos i kishte shkuar në vesh fjala se klani “Duka” po e kërkonte dhe kishte urdhëruar që ekzekutimi i tij të bëhej me çdo kusht, duke marrë parasysh të gjitha pasojat.
Sapo ish-polici doli nga një lavazh në zonën e Kinostudios, Blendi Teta dha sinjal se objektivi ishte në rrugë dhe menjëherë klani “Duka” aktivizoi ekzekutorin Fatmir Hyseni, i njohur dhe si “Doqja”. Vrasja u krye dhe sipas porosive, të gjithë anëtarët e grupit u larguan në drejtime të ndryshme.
Të gjithë ikën, Ilir Selmani u kthye në vendngjarje
Ndërsa të tjerët iknin, në vendngjarje u kthye vetëm Ilir Selmani. Detyra e tij ishte të pastronte skenën nga çdo provë që mund të implikonte klanin “Duka” në këtë vrasje, por ai nuk arriti të mblidhte dot të gjithë bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, teksa priste me orë të tëra të shihte Santiago Malkon.
Kamerat e sigurisë së zonës e kishin fiksuar atë, gjithashtu. Por pas këqyrjes se dhjetëra pamjeve, hetuesit kuptuan se viktima ishte ndjekur hap pas hapi nga dy makina, në njërën prej të cilave më pas u mësua se ishte edhe Blendi Teta.
Blendi Teta dhe Ilir Selmani ishin të parët që u ndaluan, kurse Leonard Duka u identifikua si porositës, por u ndalua vetëm në verën e vitit 2024, kur u ekstradua nga Belgjika. Përgjimet në “SKY ECC” konfirmuan se ai kishte biseduar me Ervis Martinaj dhe pranonte urdhrin për vrasjen e Snatiago Malkos.
Dy ortakët në biznesin e lojërave të fatit, ishin kthyer në armiq të përbetuar. Ervis Martinaj i komunikonte se ai nuk kishte dijeni për pengmarrjen e Muhamet Dukës (babai i dy vëllezërve Duka), kurse Leonardi i shprehej se Santiago Malko nuk bënte asgjë pa urdhrin e tij.
183 vite burg për vrasjen që tronditi “Kinostudion”
Më 21 Janar 2026, shtatë anëtarët e klanit “Duka” janë dënuar me 183 vite burg në total, me Erlis Dukën që është i vetmi që është shpallur i pafajshëm. Në qeli ndodhen vetëm Blendi Teta, Ilir Selmani dhe Leonard Duka, kurse katër anëtarët e tjerë janë në arrati. Ndërkohë, Ervis Martinaj vetë rezulton i zhdukur.
- Leonard Duka – 32 vjet burgim – Dënohet me 30 vite burg
- Erlis Duka – 25 vjet burgim – Shpallet i pafajshëm
- Fatmir Hyseni – 32 vite burgim – Dënohet me 25 vite burg
- Aleksandër Manxhaku – 22 vjet burgim – Dënohet me 25 vite burg
- Oltjon Loga – 23 vjet burgim – Dënohet me 25 vite burg
- Dritan Agai – 23 vjet burgim – Dënohet me 25 vite burg.
Më herët, për këtë ngjarje janë dënuar dhe dy anëtarë të tjerë të klanit “Duka”, konkretisht Blendi Teta, i cili është shpallur fajtor si bashkëpunëtor në krimin që tronditi Tiranën mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Kinostudios. Ai është dënuar me 25 vite burg.
Po ashtu, edhe anëtari tjetër i këtij grupi, Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg, për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko. Ai është shpallur fajtor për akuzat “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.