Connect with us

Sport

Argjentina ndez Botërorin, përmbys me spektakël Anglinë dhe fluturon në finale

Një gjysmëfinale e denjë për Botërorin. Argjentina dominoi, krijoi raste pa fund, goditi shtyllën, detyroi Jordan Pickford të bëhej protagonisti i Anglisë dhe, edhe pse e pa veten në disavantazh në mesin e pjesës së dytë, nuk u dorëzua. Me një futboll ofensiv dhe një Lionel Messi dirigjent të çdo aksioni të rrezikshëm, “Albiceleste” përmbysi rezultatin në minutat e fundit, fitoi 2-1 dhe siguroi me meritë biletën për finalen e Kupës së Botës, ku e pret Spanja.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, por ritmi u rrit ndjeshëm pas pushimit. Argjentina mori kontrollin e lojës, ndërsa Messi, Enzo Fernández dhe Julián Álvarez nisën të krijonin vazhdimisht rrezik para portës së Jordan Pickford. Portieri anglez u detyrua të bënte disa pritje spektakolare për të mbajtur të paprekur portën.

Megjithatë, ishte Anglia që gjeti e para golin. Në minutën e 55-të, Morgan Rogers krosoi saktë në zonë dhe Anthony Gordon dërgoi topin në rrjetë për 1-0, një gol që erdhi në momentin kur Argjentina po ushtronte më shumë presion.

Reagimi i skuadrës së Lionel Scalonit ishte i menjëhershëm. Sulmet u shtuan, Nicolás González, Alexis Mac Allister dhe Enzo Fernández iu afruan disa herë golit, ndërsa Pickford vazhdoi të ishte shpëtimtari i anglezëve.

Barazimi erdhi në minutën e 85-të. Lionel Messi gjeti me një pasim perfekt Enzo Fernándezin, i cili goditi saktë për 1-1.

Kur ndeshja dukej e destinuar për kohën shtesë, Argjentina dha goditjen vendimtare. Në minutën e 90+2, Messi harkoi me mjeshtëri në zonë dhe Lautaro Martínez, i futur si zëvendësues, shënoi me kokë golin e fitores, duke shpërthyer festën e argjentinasve.

Madje, pak çaste më vonë, Alexis Mac Allister ishte pranë golit të tretë, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Advertisement