Kosova
Arkivat e vdekjes/ Kurti: BE-ja dhe SHBA-ja të shtojnë presionin ndaj Serbisë për krimet e luftës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të rrisin presionin ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me krimet e luftës në Kosovë.
Sipas Kurtit, në vend që të hapë arkivat dhe të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës, Beogradi po ndjek penalisht persona që vite më parë kanë dëshmuar për krimet e kryera gjatë luftës.
Ai deklaroi se autoritetet serbe po arrestojnë qytetarë me akuza për spiunazh, vetëm pse rreth dy dekada më parë kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Kurti përmendi edhe dokumentacionin e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilin tha se lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës.
Në përfundim, kryeministri në detyrë theksoi se angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë për deklasifikimin e këtyre dokumenteve është thelbësor për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për avancimin e procesit të drejtësisë për krimet e luftës.