Bota
AROME LUFTE/ IRANI GODET ME RAKETA IZRAELIN
Qeveria izraelite njoftoi mbylljen e të gjitha shkollave në vend për ditën e hënë, pasi ushtria izraelite interceptoi raketa balistike të lëshuara nga Irani drejt territorit të Izraelit.
Komanda e Mbrojtjes Civile (Home Front Command) u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë pranë strehimeve dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e sigurisë, për shkak të rrezikut të një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.Vendimi për mbylljen e shkollave vjen pas alarmit të ngritur nga ushtria izraelite, e cila njoftoi se kishte zbuluar raketa balistike të lëshuara nga Irani. Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sistemet e mbrojtjes ajrore arritën të interceptonin raketat, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan në disa zona të vendit.
Burime izraelite bëjnë të ditur se kryeministri Benjamin Netanyahu ka zhvilluar konsultime urgjente me drejtuesit e sigurisë për të vlerësuar situatën dhe hapat e mëtejshëm.
Tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmit izraelit të së dielës në periferinë jugore të Bejrutit, bastion i Hezbollahut. Irani kishte paralajmëruar më herët se një goditje e tillë do të sillte kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë.
“SHBA-të dhe Izraeli as nuk po e respektojnë armëpushimin dhe as nuk besojnë në dialog, dhe me bllokadën detare dhe shkeljen e marrëveshjeve për Libanin, ata kanë demonstruar se kuptojnë vetëm gjuhën e forcës” – tha Kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf duke potencuar: “Rrethimi detar kundër kombit iranian dhe drita jeshile e SHBA-së për regjimin sionist” për të sulmuar Bejrutin i transformojnë bazat dhe asetet amerikane dhe izraelite në rajon në objektiva legjitime”.
Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan të hënën se kanë kryer sulme ndaj objektivave ushtarake në rajonet perëndimore dhe qendrore të Iranit. Menjëherë pas sulmeve, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime të fuqishme në Teheran, si dhe në qytetet Tabriz dhe Isfahan.
Zhvillimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon. Presidenti amerikan Donald Trump i kishte kërkuar një ditë më parë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të shmangte një sulm hakmarrës ndaj Iranit.
Ndërkohë, agjencia shtetërore iraniane Mehr News raportoi se në kryeqytetin Teheran u dëgjuan disa shpërthime të fuqishme, ndërsa televizioni shtetëror IRIB konfirmoi incidente të ngjashme edhe në Tabriz dhe Isfahan.
Në reagimin e tij, Irani paralajmëroi se mund të bllokojë ngushticën e Bab al-Mandab, një nga korridoret më të rëndësishme detare në Lindjen e Mesme, në rast se Izraeli vazhdon përshkallëzimin e operacioneve ushtarake.