Pinknews
Flamingot në “Sunny Hill”/ Dua Lipa vendos simbolin e shqiptarëve në koncertin e saj
Festivali ndërkombëtar Sunny Hill ka hapur dyert edhe këtë vit në Prishtinë, duke mirëpritur mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Edicioni i këtij viti zhvillohet nga 31 korriku deri më 2 gusht dhe sjell në skenë disa nga emrat më të njohur të muzikës ndërkombëtare, nën organizimin e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen në hyrje të festivalit është vendosja e simbolit të flamingove. Ky detaj është lidhur me protestat mjedisore që nisën në Zvërnec dhe më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë qytetare në Shqipëri.
Më herët, Dua Lipa kishte shprehur publikisht mbështetjen e saj për këtë kauzë gjatë një bisede në podkastin e shkrimtares Lea Ypi. Vendosja e flamingove në ambientet e festivalit është interpretuar si një shenjë solidariteti me mbrojtjen e mjedisit dhe kauzat ekologjike.
Në skenën e Sunny Hill 2026 do të performojnë artistë të njohur ndërkombëtarë si Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port, Rampa nga Keinemusik, Seth Troxler, PAWSA dhe Carlita.
I themeluar në vitin 2018 nga Dukagjin Lipa dhe i promovuar ndërkombëtarisht nga Dua Lipa, Sunny Hill është shndërruar në një nga festivalet më të mëdha muzikore në Ballkan, duke tërhequr çdo vit mbi 100 mijë pjesëmarrës nga rreth 60 vende të botës.
