Politike
Arrestimet e studentëve/ Prokurorët i përgjigjen Ballës: Kujdes me presionin politik
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave publike të Taulant Ballës për vendimmarrjen e një prokurori të Tiranës lidhur me arrestimet gjatë protestave, duke paralajmëruar se aludimet për lidhje politike, pa fakte konkrete, mund të cenojnë pavarësinë e magjistratit dhe të krijojnë presion mbi vendimmarrjen e tij.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson se prokurorët janë magjistratë të pavarur dhe se, gjatë ushtrimit të detyrës, u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Sipas saj, vendimet duhet të mbështeten te faktet dhe provat e administruara, pa ndikime politike.
Shoqata pranon se vendimmarrja e prokurorisë mund të kritikohet edhe publikisht, por bën dallimin mes kritikës ndaj një vendimi dhe pretendimeve për lidhje politike që nuk shoqërohen me prova. Sipas saj, akuza të tilla mund ta zhvendosin debatin nga argumentet juridike drejt diskreditimit personal dhe profesional të prokurorit.
Një tjetër çështje e ngritur në reagim lidhet me urdhrat për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar në kundërshtim me ligjin. Shoqata sqaron se këto urdhra nuk nënkuptojnë pushimin e çështjes dhe as nuk përcaktojnë përfundimisht përgjegjësinë penale të personave të dyshuar. Ato lidhen me ligjshmërinë e heqjes së lirisë.
Duke iu referuar nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, Shoqata nënvizon se, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.
Sa u përket pretendimeve për shkelje profesionale ose etike, Shoqata thekson se ato mund t’u paraqiten organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohen sipas procedurave ligjore e mbi bazën e fakteve. Ajo kërkon që edhe këto organe të veprojnë në mënyrë të pavarur, pa presione politike.
Në përfundim, Shoqata u bën thirrje përfaqësuesve politikë që ta ushtrojnë me përgjegjësi të drejtën e kritikës dhe të shmangin deklaratat që mund të shënjestrojnë prokurorët. Sipas saj, mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve është thelbësore për garantimin e një procesi të paanshëm dhe zbatimin e barabartë të ligjit.